in

Lind botimeshqip.com. Libri në shtëpinë tuaj me një klik

Administratori i portalit: “Ideja lindi si një dëshirë dhe pasion për librin. Duke analizuar me kujdes tregun dhe terrenin shoqëror e social-kulturor të bashkatdhetarëve tanë, kuptonim gjithmonë e më shumë nevojën e tyre e të fëmijëve të lindur jashtë kufijve të Shqipërisë për të lexuar në shqip”

“Cilat janë botimet e fundit në Shqipëri?”, “Ku mund të blej libra në gjuhën shqipe?”, “Ku të gjej librin e fundit të Kadaresë?”

Prej disa muajsh, këto pyetje, që bëhen shpesh nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, e kanë përgjigjen më të thjeshtë: www.botimeshqip.com.

Është portali i parë shqiptar për tregtimin e librave në gjuhën shqipe. Aty gjeni libra nga më të ndryshmit: më të rinjtë apo më të preferuarit, të autorëve shqiptarë apo të huaj të përkthyer në shqip. Falë bashkëpunimit me pothuajse të gjitha shtëpitë botuese që operojnë në Shqipëri, botimeshqip.com furnizohet me të gjitha botimet e reja në kohën reale të daljes së tyre në treg.

“E hapëm portalin në shkurt të këtij viti –  thotë për Shqiptariiitalise.com Besnik Lame, administratori i botimeshqip.com – pasi me një përqindje të lartë popullsie që jeton jashtë Shqipërisë, që tregon interes të lartë për librin në gjuhën shqipe, një dyqan i tillë online dukej i nevojshëm. Dhe koha po na jep të drejtë. Klientët tanë janë shtuar nga muaji në muaj e shtëpitë botuese që bashkëpunojnë me ne po ashtu. Ideja lindi si një dëshirë dhe pasion për librin, por nuk mbeti këtu. Duke analizuar me kujdes tregun dhe sidomos terrenin shoqëror e social-kulturor të bashkatdhetarëve tanë, duke folur me miq e të afërm, kuptonim gjithmonë e më shumë nevojën e tyre e të fëmijëve të lindur jashtë kufijve të Shqipërisë për të lexuar në shqip”.

Portali është lehtësisht i lundrueshëm. Librat i gjeni të ndarë në disa seksione: për Shqipërinë, letërsi shqipe, e huaj, për fëmijë e libra shkollorë. Por edhe sipas kategorive: nga kuzhina te dieta, nga shkenca e teknologjia te filozofia, nga fjalorët te argëtimi.

Në hapësira të posaçme renditen librat e rinj dhe ata më të shiturit. Në një tjetër edhe librat e përdorur të ndarë sipas dhjetëvjeçarëve të botimit të tyre. Në një tjetër akoma, ofertat, librat që shiten me ulje çmimi.

Në portal mundësohet kërkimi i një libri në disa mënyra: sipas shtëpisë botuese apo autorit të librit (në të majtë të portalit), por edhe me anë të të ashtuquajturit “Kërkimi inteligjent”, që ndodhet në cepin e sipërm djathtas të faqes. Quhet “inteligjent” sepse në momentin që filloni të shtypni titullin e librit automatikisht fillojnë të shfaqen të gjithë librat, titujt e të cilëve përmbajnë sekuencën e germave që keni shtypur në fushën e kërkimit.

“Edhe blerja është shumë e sigurt”, – siguron Lame. – “Sistemi i pagesës është ai PayPal i përdorur në mbarë botën”.

Lidhur me çmimin, e veçanta e portalit është se nuk ka çmime të ndryshme për jashtë vendit e për në Shqipëri. “Çmimi është ai i kopertinës për të gjithë, natyrisht kush paguan në euro do ta ketë të konvertuar me kursin zyrtar të ditës”,- sqaron Lame.

Botimeshqip.com parashikon edhe oferta të veçanta për shoqata e biblioteka. “Aplikojmë zbritje të ndjeshme të çmimit të kopertinës deri në -10% për porosi të mëdha që mund të bëhen nga ente të ndryshme, biblioteka, shoqata”.

Shërbimi i dërgimit të librave është falas për të gjithë Shqipërinë. Ndërsa për jashtë saj, siç shihni edhe në tabelën poshtë, varet nëse zgjidhet postë e thjeshtë (12-25 ditë) apo postë ajrore (librat mbërrijnë në 5-10 ditë). Natyrisht varet edhe nga pesha.

Dhe ky është veç fillimi. 

“Një sërë projektesh të tjera janë në fokusin tonë, projekte që do të zhvillohen me kohë duke garantuar cilësinë. Një prej tyre është fromalbania.com, një portal dedikuar tërësisht prodhimeve artizanale shqiptare. Kush dëshiron, le t’i hedhë një sy portalit e të kërkojë titujt që i interesojnë. Nëse nuk i gjen ato apo mendon të propozojë diçka të re, mund të na shkruajë. Mirëpresim çdo vërejtje e propozim për t’u ardhur sa më pranë kërkesave të lexuesve”,- përfundon Lame.

Keti Biçoku
Shtyp mbi tabelë për ta zmadhuar

L’Albania si tinge di viola

Sanatoria më e thjeshtë. Ja çfarë ndryshon