Shqiptari i Italisë në bashkëpunim me Migreat ka hapur një platformë të re për komunitetin shqiptar. Quhet Shqiptarët në Romë e ka për qëllim të ndihmojë e të mbështesë më tej shqiptarët që kanë zgjedhur Italinë si vendin e tyre të dytë, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë jetës së komunitetit në provincën e Romës.
Migreat, një platformë shumëgjuhëshë e pranishme në shumë vende të Evropës, së fundi edhe në Itali, ku komunitetet gjejnë në gjuhën e tyre gjithë informacionet që nevojiten për të përjetuar migracionin sa më mirë, dhe Shqiptari i Italisë, prej vitesh portali i shqiptarëve të Italisë, kanë bashkuar forcat për të ofruar platformën e parë Migreat në gjuhën shqipe për shqiptarët që për arsye nga më të ndryshmet nuk jetojnë në Shqipëri. Shumë shpejt do të mbërrijë online edhe Shqiptarët në Milano dedikuar komunitetit shqiptar në Veri të Italisë.
Në Shqiptarët në Romë do të gjeni gjithçka që nevojitet të dini për të përjetuar sa më mirë emigracionin, për të ringritur rrjetin tuaj shoqëror, për të mësuar ç’ofrohet në veçanti nga dhe për komunitetin. Aty do të gjeni gjithashtu edhe gjithçka që ju nevojitet të dini për të ardhur në Itali në mënyrë të rregullt për punë, studime, bashkim familjar apo edhe thjesht për turizëm.
Shqiptarët në Romë është një vendtakim i mirëfilltë komuniteti: ju lexuesit jeni protagonistët. Mund të ndani aty përvojën personale, të jepni apo të kërkoni këshilla, të ofroni apo të kërkoni ndihmë mbi çdo çështje që ka të bëjë me ardhjen, qëndrimin, punën, studimin dhe jetën sociale në Itali. Çdo kontribut i juaji është i mirëpritur e të jeni të sigurtë që do të jetë ndihmë e vyer për dikë tjetër.
Për të mësuar çdo të re nga Shqiptarët në Romë, ndiqni faqen facebook Migreat: Shqiptarët në botë.