Janë vetëm 2484 shqiptarët e burgosur në Itali. Por kjo nuk e pengon demagogjinë t’i përdorë si dordolec të rrezikut emigrant. Edhe kur flitet për mbingarkim të burgjeve dhe kryerjen e dënimit në vendlindje. Pre e kësaj demagogjie bie e tëra edhe politika dhe institucionet shqiptare të cilët marrin për të kulluar çdo broçkull që del prej Italie. “2000 shqiptarë të burgosur nga 5000 që ka në Itali do të riatdhesohen” deklaron shtypi shqiptar të cilit i mbajnë ison institucionet. Nuk janë 5000 por më pak se gjysma. E nuk mund të riatdhesohen pasi rreth 70% e tyre nuk kanë marrë ende gjykimin.
Në Itali, periodikisht flitet për mbingarkesën e burgjeve italiane. Si në shumë raste të tjera, edhe për këtë fajin e kanë emigrantët: janë shumë, përbëjnë rreth 37% të të gjithë të burgosurve. Me Legën në fuqi nuk mund të pritej tjetër veçse deklarata të tipit: t’i dëbojmë që të kryejnë dënimin në shtëpinë e tyre. I kësaj ideje, që me thënë të vërtetën nuk hidhet për herë të parë, është edhe ministri i Drejtësisë Alfano që nga fillimi i tetorit u shpreh që “po punohet për të riatdhesuar rreth 4.000 të huaj të burgosur, të cilëve u ka mbetur maksimumi edhe dy vjet burg për të vuajtur”.
Por është veçse demagogji dhe praktikisht e pamundur të zbrazen burgjet në këtë mënyrë. Dhe një gjë të tillë e thonë vetë shifrat, që po të lexohen me kujdes nxjerrin në shesh mungesat e keqfunksionimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në Itali.
Është qesharake të mendosh se burgjet do të zbrazen duke dëbuar të huajt dhe duke nxjerrë në gjysmë-liri rreth 4 mijë italianë (për të cilët, gjithnjë sipas ministrit Alfano , po studiohet ideja të ruhen me byzylykun elektronik): u provua jo më shumë se dy vjet më parë me uljen e dënimeve (indulto) të të burgosurve, por nuk kaloi as edhe një vit e burgjet u tejmbushën sërish. Le t’u hedhim një sy shifrave të ministrisë së Drejtësisë e cila përditëson çdo vit statistikat mbi të dënuarit, krimet, sa janë në burgje e sa vuajnë “dënime alternative” etj.
Sipas këtyre të dhënave, më 30 qershor 2008, në burgjet italiane – kapaciteti i të cilave është 43.000 vetë – janë mbyllur 55.057 vetë, nga të cilët 20.617 janë të huaj. Por më shumë se gjysma e të gjithë të burgosurve, rreth 55% janë në pritje të dënimit (kanë ende procesin gjyqësor të shkallës së parë, të dytë apo të tretë të hapur): vetëm 23.243 kanë marrë dënimin përfundimtar. Ndërsa mesatarja europiane e të burgosurve në pritje dënimi është nën 25%.
Ende më keq është situata po të shihen vetëm të huajt: nga këta janë në pritje dënimi përfundimtar 65,7% e tyre. Pra nga 20.617 të burgosurit e huaj vetëm 6.852 janë ata me dënim të sigurt, dhe vetëm për këta të fundit mund të flitet për vuajtje të dënimit në vendlindje. Madje 29% e të gjithë të burgosurve (përqindje që arrin në 32,22 për të huajt e burgosur) janë në pritje të sentencës së shkallës së parë. Përqindja e të huajve të burgosur në pritje të dënimit është më e lartë se ajo e italianëve për faktin që të huajt përfitojnë më pak nga masa alternative si arresti shtëpiak. Kjo për arsye të ndryshme: organet e Mbikëqyrjes tregohen shumë të shtrënguara kur bie fjala që t’u njohin të huajve masa alternative të burgosjes; të huajt nuk kanë një vendbanim të sigurt e të kontrollueshëm nga forcat e rendit, madje shpesh ata as nuk do të ekzistonin për shtetin italian nëse nuk do të kishin rënë në burg. Vetëm këto shifra tregojnë sheshit plagën e rëndë të ngadalshmërisë së proceseve gjyqësore në Itali që sjell, edhe në rast uljeje dënimi, amnistie, apo riatdhesimi të të huajve të burgosur, rimbushjen e shpejtë të burgjeve. Që deklaratat e para të ministrit ishin të pavend, e tregoi fakti që në njëfarë mënyre ai përgënjeshtroi vetveten. Në mes të tetorit, në përshëndetjen e tij gjatë festës së policisë së burgjeve Alfano është detyruar të pranojë që për zbrazjen e burgjeve nuk duhen varur shpresat te dëbimet pasi edhe sipas të dhënave më të fundit (të 13 tetorit 2008) vetëm 39% e të gjithë të burgosurve kanë marrë dënimin përfundimtar (përqindje që është edhe më e ulët për të huajt). Të dënuarit e huaj që janë dëbuar gjatë vitit 2007 kanë qenë vetëm 282 vetë, ndërsa gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti 158.
Por është akoma më e turpshme dhe qesharake të lexosh në gazetat shqiptare se si e marrin “kallëp” lajmin në Shqipëri, pa e përkthyer mirë dhe, për më tepër, pa u informuar saktë mbi numrin e të burgosurve shqiptarë. Dhe kur themi pa u informuar mirë, nuk e kemi fjalën për gazetarët por për përfaqësues të shtetit shqiptar që japin deklarate. Duke qarë hallin e vet të mbingarkesës së burgjeve edhe në Shqipëri (1.100-1.200 më shumë se kapaciteti), drejtori i përgjithshëm i tyre deklaron për një media që është në dijeni për idenë e palës italiane të riatdhesimit të të dënuarve për krime jo të rënda dhe jep disa shifra, të gjitha të pasakta. Sipas tij, vendi fqinj mendon të kthejë në Shqipëri 2.000 shqiptarë të burgosur nga rreth 5.000 shqiptarët e burgosur në Itali, që përbëjnë rreth 12% të të gjithë të burgosurve në Itali. Asgjë e vërtetë: shqiptarët e burgosur në Itali nuk janë 5 mijë vetë, nuk përbëjnë 12% të të gjithë të burgosurve dhe as që mund të flitet për riatdhesim të 2 mijë vetëve.
Gjithnjë sipas shifrave të ministrisë së Drejtësisë italiane të datës 30 qershor, numri i shqiptarëve të burgosur në Itali është 2.484 vetë, 38 gra dhe 2.446 burra. Numrin më të madh të të huajve e regjistrojnë marokenët me 4.495 të burgosur dhe rumunët me 2.828. Shqiptarët përbëjnë 12% të të burgosurve të huaj në Itali dhe vetëm 4,5% të të gjithë të burgosurve. Meqë ministria nuk jep të dhëna mbi situatën gjyqësore të çdo komuniteti të të burgosurve të huaj por vetëm për të gjithë bashkë, është mëse e arsyeshme të mendohet që edhe për shqiptarët të vlejë pak a shumë përqindja e atyre që kanë marrë dënimin përfundimtar që jepet për të huajt në përgjithësi. Nëse marrim për të vërtetë këtë fakt, pra që vetëm 33,23% e shqiptarëve të burgosur kanë marrë dënimin përfundimtar del që janë vetëm rreth 830 vetë. Dhe vetëm për një pjesë të këtyre 830 shqiptarëve diskutohet kthimi dhe vuajtja e dënimit në mëmëdhe. Por drejtori i përgjithshëm i burgjeve shqiptare as që e ka marrë mundimin të kërkojë të dhëna të sakta para se të japë një intervistë që në njëfarë mënyre ofendon të gjithë ne shqiptarët që jetojmë në Itali, për “përmirësimin e imazhit” të të cilëve qeveria shqiptare jo vetëm që nuk bën asgjë, përkundrazi me mendjelehtësinë e nëpunësve të saj duket sikur e minon. Po të lexonte me kujdes shifrat, gjë që tashmë po bëjnë edhe vetë italianët, do të kuptonte që kriminaliteti shqiptar në Itali jo vetëm nuk përbën më problemin e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të shkuar, por madje nga viti në vit është ulur, qoftë me numrin e denoncimeve qoftë me uljen e numrit të të burgosurve me gjithë rritjen e madhe të numrit të emigrantëve shqiptarë në Itali. Shifrat flasin qartë: në fund të vitit 2001 numri i të burgosurve shqiptarë ishte 2.674 kur sipas ISTAT-it numri i emigrantëve shqiptarë në Itali ishte 144.120, ndërsa në fund të vitit 2007 të burgosurit janë 2.235 kundrejt numrit të përgjithshëm të rezidentëve shqiptarë që ka arritur në 401.949 (të dhënat e para pak ditëve të ISTAT-it japin këtë si shifrën e saktë të rezidentëve shqiptarë më 31 dhjetor 2007).
Për të burgosurit italianë numri i veprave penale është 130.558 (3,79 vepra penale për të burgosur) kurse veprat penale që rëndojnë mbi të huajt e burgosur janë 43.959 (pra 2,13 për njeri). Ndër veprat penale që hasen më shpesh për të huajt janë ato kundër pasurisë (vjedhje, grabitje, shitje mallrash të falsifikuara), 28,4%; veprat që kanë të bëjnë me ligjin kundër drogës, 25,7%; ato kundër personit (rrahje, plagosje, vrasje, përdhunim, rrëmbim), 18,9% dhe shkeljet e ligjit Bossi-Fini, 5,1%. Ndërsa për të burgosurit italianë ndër të parat renditen veprat penale kundër pasurisë (30,4%), kundër ligjit të armëve (18,2%), kundër personit (15,4%), kundër ligjit të drogës (12,1%). Pa dashur të ngremë në qiell të huajt, duhet thënë që krimet e kryera nga italianët janë më të shumta (si numër veprash penale për të burgosur), dhe të rënda ndoshta njësoj, në mos më shumë (veprat penale që kanë të bëjnë me mafien dhe ligjin e armëve përbëjnë 22% të krimeve në kurriz të tyre ndërsa për të huajt kjo përqindje zbret në 4,4%). Por megjithatë të huajt bëjnë më shumë bujë, sidomos për krimet ndaj personit e për ato ndaj pasurisë, ndaj të cilave opinioni publik, i ndihmuar nga mediat, është shumë i ndjeshëm. Një tjetër e veçantë është fakti që 5,1% e veprave penale për të huajt e burgosur, kryesisht, nuk janë tjetër veçse ato që kanë të bëjnë me hyrjen e qëndrimin e paligjshëm në Itali (me ligjin në fuqi kush ka marrë më parë një dekret dëbimi dhe kapet sërish në Itali pa dokumente qëndrimi kryen vepër penale).
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është rrethana e klandestinitetit, e cila ndihmon rënien në kthetrat e kriminalitetit të emigrantëve. Ministria e Brendshme e pranon që shumë nga të denoncuarit dhe të dënuarit janë pa dokumente qëndrimi. Edhe shifrat e ISTAT-it, bëjnë me dije se gjatë vitit 2006, 80% e të denoncuarve me shtetësi të huaj janë klandestinë.
Shqiptarët e burgosur në vite
data |
Shqiptarë në burgje |
Shqiptarë në Itali |
% e të burgosurve mbi rezidentët |
31/12/2007 |
2.235 |
401.949 |
0,56% |
31/12/2006 |
1.834 |
375.947 |
0,49% |
31/12/2005 |
2.971 |
348.813 |
0,85% |
31/12/2004 |
2.750 |
316.659 |
0,87% |
31/12/2003 |
2.721 |
270.383 |
1,01% |
31/12/2002 |
2.751 |
172.834 |
1,59% |
31/12/2001 |
2.674 |
144.120 |
1,86% |
Përpunimi Bota Shqiptare sipas të dhënave të ministrisë së Drejtësisë dhe ISTAT-it
Keti Bicoku
Bota Shqiptare 202 – 27 tetor 2008