in

Lombardi. 31 arrestime për trafik droge

Dhjetë shqiptarë e 21 italianë janë arrestuar mëngjesin e sotëm me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike

Romë, 27 prill 2016 – Një operacion i policisë mëngjesin e sotëm në Lombardi ka shkatërruar një grup kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Agjentë të shumtë po zbatojnë urdhërarrestet për 31 vetë e po u kontrollojnë shtëpitë në provincat Milano, Bergamo, Brescia, Como, Monza e Brianza, Siracusa e Varese. Për 29 persona, 19 italianë e 10 shqiptarë është dhënë masa e arrestit me burg, për dy italianë të tjerë arresti shtëpiak.

Pesë persona të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, katër prej tyre janë shqiptarë e ka shumë mundësi të jenë në bregun tjetër të Adriatikut. Të gjithë akuzohen se nga janari deri në korrik 2014 kanë sjellë kokainë nga Holanda për ta shitur më pas në provincat e Milanos, Monzës e Siracusës.

Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 9 persona e janë sekuestruar 10 kg kokainë, 15 kg hashash, 680 g. Mirihuanë dhe një pistoletë e paregjistruar.

Agjentët, që fillimisht ishin në gjurmët e disa grabitësve, u ndeshën rastësisht me disa shpërndarës droge e nga ata qrritën të zbulojnë një trafik të përmasave të mëdha. Nga të hetuarit e parë, të gjithë italianë, që shpërndanin drogën në provincën e Milanos, u arrit te trafikantë ndërkombëtarë të lidhur me kriminalitetin shqiptar. Ky grup, për importimin e “mallit” nga Holanda, mbështetej në bashkëpunimin e autotransportatorëve që pranonin të ngarkonin në kamionët e tyre edhe lëndët narkotike.

 

 

 

Rama në Sky News: Qielli britanik nuk do të nxihet nga shqiponjat shqiptare

Shtetësia italiane. Një mal amendamentesh për të ndalur reformën