in

Marrëveshja PS-LSI: Rama do të drejtojë qeverinë, Meta Kuvendin

Vendimi, në takimin e sotëm mes kryetarëve të dy forcave fituese të zgjedhjeve

Tiranë, 28 qershor 2013 – Ashtu siç pritej nga të gjithë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë do të jetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndërsa kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta do të drejtojë Kuvendin e ri. Ky vendim u mor sot gjatë takimitqë zgjati rreth dy orë e gjysmë mes kryetarit të PS-së dhe atij të LSI-së në mjediset e Hotel “Sheraton”, në Tiranë. 

Zyra e shtypit e PS-së njofton se në takim, ku u vendos për piketat e planit të tranzicionit deri në hapjen e legjislaturës së re, u ra dakord që në funksion të një ndarjeje të përgjegjësive për të përmbushur me sukses detyrimet që burojnë prej votës plebishitare të 23 qershorit për koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, kryetari i PS -së, Rama do të drejtojë qeverinë e re, ndërsa kryetari i LSI-së, Ilir Meta do të drejtojë Kuvendin e ri. 

Gjatë takimit u konfirmua angazhimi publik i PS-LSI për të ndarë mandatin e deputetit nga detyra ekzekutive e ministrit.

Gjithashtu, u vlerësua se një grup i përbashkët pune, nën drejtimin e Sekretarit të Programit të PS-së, Ilir Beqja, dhe të anëtarit të kryesisë së LSI-së, Edmond Haxhinasto, duhet të nisë menjëherë nga puna për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para, që do t’i paraqitet publikut në muajin shtator. Ky grup pune do të vendosë kontakte me grupet e interesit si edhe me ekspertë vendas e të huaj të nivelit më të lartë.  

Gjithashtu, u nënvizua nevoja për t’i dhënë vendit një skuadër qeverisëse që do të sjellë një model të ri sjelljeje e veprimi në procesin qeverisës, si edhe një model të ri gjithëpërfshirës të parlamentarizmit me një frymë bashkëpunuese jo vetëm me opozitën, por dhe me shoqërinë  në procesin ligjvënës.

Po ashtu palët ranë dakord mbi ecurinë e mëtejshme të konsultimeve për strukturën dhe përbërjen e qeverisë së re, për të cilën do të dëgjohen me vëmendjen e merituar edhe aletatët e tjerë.

U çmua e nevojshme, edhe në vijim të kontaktit që të dy kryetarët patën dje me autoritete përfaqësuese të Azerbajxhanit, që në mbështetje të plotë të projektit të TAP të krijohet një Task Force për të ndjekur fazën përgatitore të projektit, si edhe për të organizuar në bashkëpunim me partnerët në këtë projekt, procesin e kualifikimit të burimeve njerëzore vendase që do të përfshihen në fazën e realizimit të projektit. 

Gjatë takimit u shpreh shqetësimi për të dhënat më të fundit që tregojnë se qeveria në detyrë nuk po bën thjesht kujdestarinë dymujore që imponon verdikti plebishitar i 23 qershorit, por po vazhdon në një inerci që nuk është në dobi të vendit e të qytetarëve. Prandaj dy liderët e koalicionit fitues vendosën të bëjnë apel për urtësi e përgjegjshmëri nga ana e kryeministrit në detyrë dhe e qeverisë së tij, në mënyrë që të mos ndërmerren hapa që bien ndesh me etikën e një qeverie kujdestarie. Të ndalen prokurorimet e reja, të mos merren vendime për koncesione të reja të pasurisë publike, të garantohet që administrata të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit, u nënvizua gjatë takimit Rama-Meta.

 

 

 

Casa. Una guida all’affitto e all’acquisto in sei lingue

Nga 1 korriku, Kosova vendos regjim vizash për qytetarët e 87 vendeve të botës