in

Martesë pa leje qëndrimi. Në Chiari, Lega nuk dorëzohet

 

Kryetari i Bashkisë ngrihet kundër Kolegjit Kushtetues dhe Gjykatës së Brescias. Paraqet padi ankimore, me shpenzimet e qytetarëve, për të ndaluar martesat e emigrantëve të parregullt

Romë, 8 maj 2012 – “Dhëndri klandestin?” Martesa nuk bëhet!”. Chiari, komuna e vogël me kryetar legist e provincës së Brescias, nuk dorëzohet as  përpara sentencave të Kolegjit Kushtetues dhe Gjykatës së Brescias, sipas të cilave për t’u martuar të huajt nuk duhet të tregojnë nëse kanë apo jo lejen e qëndrimit.

Historia nisi në gusht 2009 kur hyri në fuqi ligji mbi sigurinë e kërkuar me forcë nga qeveria e Berlusconit. Mes të tjerash, detyronte të huajt që martoheshin në Itali të tregonin lejen e qëndrimit, duke ndaluar klandestinët të lidhnin martesë. Norma kishte për qëllim të shmangte martesat për leverdi, por në të vërtetë u hapi një sërë telashesh edhe shumë e shumë çiftesh njerëzish të ndershëm e të dashuruar, deri kur në korrik të vitit të shkuar, Gjykata kushtetuese e shfuqizoi si antikushtetuese. “Nuk mund të shkelet e drejta themelore si ajo e formimit të familjes në emër të luftës kundër imigracionit klandestin”,  u shprehën gjykatësit.

Nga ai moment çiftet mundën të programonin martesën e tyre, edhe nëse njëri prej tyre nuk e kishte lejen e qëndrimit, thuajse në gjithë Italinë. Por në Chiari, qytezë e vogël e Brescias me rreth 20 mijë banorë, kryetari i komunës (dhe senatori) Sandro Mazzatorta vendosi të bëjë në kokë të vet. Në shtator 2011 nënshkroi një urdhëresë me të cilën detyronte imigrantët që donin të martoheshin, të tregonin lejen e qëndrimit para shpalljes së martesës. Me një fjalë, legisti donte të fuste nga dritarja një normë që Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë me shkelma nga dera. “Lega e Veriut reziston e çon përpara mosbindjen civile në respekt të ligjit dhe për sigurinë e qytetarëve” thoshte me krenari Mazzatorta.

Pas një padije ankimore të paraqitur nga Asgi (Associazione per gli Studi Giuridici sull’Immigrazione)  dhe Fondacioni Guido Piccini për të drejtat e Njeriut ONLUS,  gjykata e Brescias kaurdhëruar shfuqizimin ose modifikimin e urdhëresës sepse e konsideron diskriminuese, pra të paligjshme. Komuna e Chiarit madje është dënuar të paguajë 4 mijë euro për shpenzime legale përveçse të blejë një hapësirë në të përditshmen Repubblica për botimin e sentencës.

Por kryebashkiaku Mazzatorta sërish nuk dorëzohet. Ditët e fundit ka vendosur t’i drejtohet apelit kundër vendimit të gjykatës së Brescias. Por, duke parë s ii ka shkuar deri më sot, ka pak shance të fitoj. Ndërkaq, qytetarët e Chiarit duhet të mbulojnë shpenzimet legale: të paktën 1.258 euro, që do të shërbejnë për të paguar avokatin që çojë përpara çështjen legale.  

Diploma e Bossit. Prokuroria e Tiranës u shkruan prokurorëve të Milanos

Vepra e Gjon Buzukut në Universitetin e Napolit