in

Mbreti Zog s’pati frikë të hapte zjarr

Nga Peter Lucas, Lowell Sun

Mbreti Zog, pas një azili të gjatë, u kthye në Shqipëri javën që shkoi.

Nuk është një grup rroku, por një mbret real. Është mbreti i ndjerë Ahmet bej Zogu, një mashtrues i fiksuar pas armëve, që sundoi Shqipërinë përpara se të arratisej nga vendi pas pushtimit italian në vitin 1939, duke marrë me vete 20 valixhe me arin e vendit.

Themi i ndjeri sepse Zogu, që jetoi në një mërgim të shkëlqyer, vdiq dhe u varros në Paris në vitin 1960, pasi udhëtoi nëpër botë, madje deri në atë pikë sa bleu një pronë në Long Island, të cilën nuk e përdori kurrë. Ai udhëtoi me gruan, djalin, pesë motrat dhe një grup prej 40 shërbëtorësh e truprojash dhe natyrisht valixhet me ar.

Pra, nuk është Zogu ai që u kthye në Tiranë, por eshtrat e tij, të cilat u zhvarrosën nga qeveria e tij për një ceremoni të përshtatshme në shtëpi.

Disa thonë se Zogu u zhvarros nga një qeveri në nevojë për para, që mendonte se me Zogun ishte varrosur edhe ari. Por është thjesht një thashethem i pakonfirmuar. Të ishte kështu, qeveria shqiptare do e kishte zhvarrosur në mënyrë sekrete me kohë.

Jo, arsyeja kryesore për kthimin e mbretit është se Shqipëria po feston 100 vjetorin e Pavarësisë nga çlirimi prej dominimit turk, edhe pse gjysma e këtyre viteve kanë kaluar nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës dhe pjesa tjetër duke kaluar luftëra ballkanike.

Duhet theksuar megjithatë se edhe të urryerit Hoxha, që vdiq në vitin 1985, i janë zhvarrosur eshtrat. Nuk u gjet as aty ar. Ndryshe nga Zogu, që u nderua me pritje madhështore, eshtrat e Hoxhës janë hequr nga varri me mermer dhe janë kallur diku në një varrezë të pluhurosur.

Mesa duket mbretërit pompozë të vdekur nderohen më shumë në Shqipëri sesa komunistët e thjeshtë të vdekur. Është pak ironike kjo sepse asnjë nga politikanët që drejton sot Shqipërinë, një vend gjysmë demokratik, nuk ka lidhje me familjen mbretërore të Zogut, por shumë prej tyre kanë qenë shumë të lidhur me Partinë Komuniste dhe Enver Hoxhën, përfshirë Sali Berishën, kryeministrin e këtij vendi. Ai e quajti Zogun një figurë. Ec aty figura!

Ka shumë gjëra për t’u admiruar tek Mbreti Zogu. I lodhur së qeni president i një vendi të varfër me fshatarë dhe klane rebele, ai e shpalli veten mbret në vitin 1928 dhe u deklarua Zogu I (nuk ka pasur kurrë një Mbret Zog II) dhe e mbushi kostumin e tij ushtarak me dekorata. Hitleri i dërgoi atij një Mercedes si dhuratë martese.

Nga viti 1928 deri në 1939, preokupimi kryesor i Zogut ishte të merrte borxh para nga italianët, të cilat nuk i pagoi kurrë. Një preokupim tjetër ishte që të qëndronte gjallë.

Zogu, me paratë e diktatorit italian, Benito Mussolini, ndërtoi disa pallate për veten e familjen e tij, luante poker dhe shmangu një seri atentatesh, në shtëpi e jashtë. Prandaj nuk është çudi që ai nuk lëvizte kurrë pa pistoletë.

Reputacioni i tij si një gangster i pashëm mbretëror, siç e përshkruan biografi i tij Jason Tomes, u konfirmua kur Zogu u sulmua në Vjenë në vitin 1930 nga disa ish- oficerë të pakënaqur të ushtrisë shqiptare.

Ata e rrethuan mbretin kur po dilte nga opera e Vjenës. Të pranishmit vraponin në panik për t’u mbrojtur nga krismat. Një ndihmës i Zogut mori një plumb kur u hodh për të mbrojtur mbretin në ndenjësen e pasme të limuzinës.

Zogu e shtyu të vdekurin mënjanë, nxori një pistoletë nga kostumi dhe nisi të qëllonte duke e zbrazur karikatorin. Pastaj e mbushi dhe qëllonte sërish. Kur u pastrua tymi, personat që qëlluan mbi të, njësoj si mbreti, u dorëzuan.

Lajmi shkaktoi shumë bujë në Evropën e ndërgjegjshme për mbretërorët. Ku tjetër përveçse në Shqipëri mund të gjesh një mbret me veshje formale, të gatshëm të shkëmbejë zjarr me disa vrasës? Ky mendoj se është lloji i mbretit tim.

Më vjen keq që nuk isha në ceremoni. Nuk bëhen më mbretër të tillë.

Peter Lucas, gazetar dhe historian amerikan, botuar në të përditshmen Lowell Sun

Artikulli në origjinal: King Zog not afraid to open fire

Primarie Centrosinistra, alle urne anche gli immigrati

Tirana nei giorni della Fiera del Libro