in

Më 6 prill, Berlusconi në gjyq për çështjen Ruby

 

Akuzohet për mitëdhënie dhe prostitucion të miturash. 11 muaj, nga telefonata në Kuesturë deri në procesin gjyqësor

Romë 15 shkurt 2011 – Silvio Berlusconi do të dalë në proces gjyqësor me gjykim të drejtpërdrejtë për veprat penale të mitëdhënies dhe të prostitucionit të të miturve që i kontestohen nga gjykatësit që  merren ne hetimet e të ashtuquajturës, çështja Ruby: gjykatësja për hetimet paraprake, Cristina Di Censo ka pranuar, brenda 6 ditëve, kërkesën e prokurorisë së Milanos, e bindur se ka prova të mjaftueshme për të hapur procesin gjyqësor ndaj kryeministrit italian.

Berlusconi do t’i nënshtrohet procesit gjyqësor të drejtpërdrejtë. Më 6 prill, ai do të dalë para gjykatësve të seksionit IV të gjykatës së Milanos.


11 muaj, nga telefonata në Kuesturë deri në procesin gjyqësor

Historia nisi me ndalimin në Milano, në natën mes 27 dhe 28 majit të vitit të shkuar, të Ruby-t, Karima El mahroug, e akuzuar nga një shoqe e veta se i kish marrë një byzylyk me gurë të çmuar me vlerë rreth 3 mijë euro. Pak orë pas arrestimit të të resë, në kuesturën e Milanos arrin një telefonatë: nga njëra anë kryeministri Berlusconi, nga ana tjetër e telefonit shefi i Kabinetit të kuestorit Pietro Ostuni. Telefonatë që, sipas prokurorisë, Berlusconi bëri duke abuzuar me cilësinë e tij si kryeministër i vendit  “për të fshehur një krim (atë të prostitucionit të të miturve) dhe për të siguruar pandëshkueshmërinë për të dhe për fakte të tjera që edhe pse me vlerë penale por jo për kryeministrin, mund të dëmtonin imazhin e tij”. “Meqë kishte mësuar se e mitura – e frekuentuar prej tij më parë, – ishte arrestuar”.
Silvio Berlusconi “ka deklaruar se kjo  vajzë e mitur, me origjinë nga Afrika e veriut, i është prezantuar nga të tjerë si mbesa e presidentit Mubarak dhe ka kërkuar që të përshpejtohen procedurat për lëshimin e saj duke shtuar se këshilltarja Krahinore Nicole Minetti ishte e gatshme të merrte vajzën e mitur në ngarkim”, “duke e hequr kështu Ruby-n nga kontrolli i autoriteteve të parashikuara për tutelën e të miturve”.

Më 13 janar 2011, prokurorët që ndjekin çështjen, Ilda Boccassini, Pietro Forno e Antonio Sangermano i kërkojnë kryeministrit të paraqitet më 22, 23 ose 24 janar dhe i kontestojnë veprën penale të mitëdhënies dhe të prostitucionit të të miturve: veprën e parë penale për telefonatën në kuesturë, dhe të dytën sepse “ka kryer akte seksuale” me Ruby-n “në shtëpinë e tij në Arcore, në një periudhë kohe që shkon nga 14/02/2010 deri më 02/05/2010”. Të hetuar për favorizimin e prostitucionit janë edhe Nicole Minetti, Emilio Fede dhe Lele Mora”.

Më 14 janar 2011, magjistratët lëshojnë një urdhër kontrollimi  ndaj Nicole Minetti dhe të ashtuquajturave “vajzat e Olgettina-s”, një grup të rejash që kishin marrë pjesë në festat e organizuara në Arcore dhe që ishin bujtur në disa apartamente të një pallati në rrugën Olgettina, shpesh me kontrata qiraje në emër të Minetti-t.

30 janar 2011: Papritur prokurorët marrin në pyetje Nicole Minetti-n. Marrja në pyetje, e përcaktuar fillimisht për më 2 shkurt, mbahet dy ditë më parë, të diel, për të evituar gazetarët dhe kameramanët. Këshilltarja krahinore u përgjigjet vetëm  disa prej pyetjeve.

Më 3 shkurt 2011, Dhoma e Deputetëve shprehet mbi kërkesën e gjykatësve të Milanos për të kontrolluar zyrën e Giuseppe Spinelli-t, llogaritar i Berlusconit që merrej me dhënien e shumave të parave vajzave që merrnin pjesë në festa. Dhoma e Deputetëve, me votën e saj, hedh poshtë kërkesën e Prokurorisë së Milanos për kontrollimin e zyrave.

Më 9 shkurt 2011 prokurorët e Milanos i kërkojnë gjykatësit për hetimet paraprake Di Censo gjykimin e menjëhershëm të Silvio Berlusconit për të dyja veprat penale.
15 shkurt 2011: Gjykatësja pranon kërkesën e prokurorisë dhe vendos që seanca gjyqësore të mbahet më 6 prill 2011.

Basha: “Shqiptarët pa viza nuk kërkojnë azil”

Italia mbush 150 vjeç. Do ta festosh?