in

Me biletën Bari-Durrës blen edhe vonesat e peripecitë

Ilquotidianoitaliano.it boton një reportazh mbi udhëtimin e vështirë me traget nga Bari në Durrës të të dielës, 10 gusht. “Një odise që zgjati mbi 12 orë – shkruhet në artikull – me një traget që më shumë se njerëz dukej sikur transportonte kafshë”.

Romë, 11 gusht 2014 – Në këtë periudhë të vitit, shpesh qëllon të shkruhet për peripecitë e udhëtimit me të cilin nisin apo përfundojnë pushimet e shumë prej emigrantëve që nisen të kalojnë një periudhë në Shqipëri. Edhe këtë radhë nuk mungojnë. Vetëm pak kohë më parë shkruam për rastet e shumta të grabitjeve të familjeve rrugës për në port. Sot sjell peripecitë e pasagjerëve të tragetit edhe Ilquotidianoitaliano.it përmes shkrimit (të shoqëruar nga disa foto) të një udhëtareje, Monica Arcadio, që të dielën ka bërë Bari-Durrës, “një udhëtim i gjatë e raskapitës” me të cilin kupton edhe një herë “sa afër e sa larg” janë dy vendet fqinje.

Ajo tregon se odisea e saj dhe e bashkudhëtarëve të shumtë që mbushnin tragetin e kompanisë së lundrimev Adria nisi në mesditë për të përfunduar pas mesnate. Duhet të niseshin në 13.00, por në të vërtetë trageti u nis në 17. “Vonesat janë të zakonshme por jo kaq të gjata” – i kanë treguar shqiptarët që atë rrugë e kanë bërë shpesh. Por veç vonesës, ato çka i bëjnë më shumë përshtypje janë kushtet e mjerueshme të udhëtimit: “Të krijohet përshtypja sikur udhëton në një mjet që trasporton kafshë – shkruhet në artikull – ka shumë turistë, italianë e të huaj e shumë familje imigrantësh shqiptarë. Njerëz kudo: mbi kuvertë, në hall, nëpër korridore: ka që luajnë me letra, të tjerë bisedojn, të tjerë flenë në poltrona apo të shtrirë përdhe me një batanije nën vete në vend të dyshekut”.

Të gjitha këto “kondita” për çmime të larta: “Kush kërkon një vend për të fjetur, duhet të paguajë 23 euro, një kafe në gotë plastike 1,2 euro, një akullore 3 euro. “Kjo është grabitje ditën për diell” thotë dikush duke provokuar vështrimin shtrembër të personelit”.

Sa për personelin, “karakteristikat e tyre nuk janë padyshim përzemërsia e mirësjellja, me ndonjë përjashtim. Nuk buzëqeshin, nuk dialogojnë, nuk ka komunikim, ndonjëherë është vështirë të gjesh dikë kujt t’i pyesësh edhe gjënë më të thjeshtë. Duhet të shpresosh të mos kesh asnjë telash, sepse një gjë është e sigurtë: nuk ta zgjidhin. Përkundrazi duket sikur zgjidhja e halleve të klientëve nuk është pjesë e punës së tyre”.

Temperatura ngrihet, në të gjitha kuptimet, kur nisin procedurat e zbarkimit. I nxehti bëhet i padurueshëm, nervat po ashtu. “Korridoret e ngushta pa ajër të kondicionuar, janë plot me njerëz të vënë në radhë. Fëmijët të drobitur nga dita e gjatë dhe e lodhshme nuk durojnë dot më. Një vajzë e vogël ka nisur ditën e saj herët: me familjen është nisur në mëngjes nga Torino, në Bari ka pritur gjatë, e tani rreth orës 1 të natës është akoma në radhë për të zbritur”.

Më në fund udhëtimi mbaron: “Durrësi na pret në heshtjen e natës. Në epokën e rrjeteve sociale dhe të inter-aktivitetit është absurde të të duhet të shkruash akoma për “udhëtime shprese” dhe për turizmin që nuk ekziston”.

Shkrimi vë në dukje edhe një aspekt tjetër shqetësues të linjave Bari-Durrës të mbuluara nga kompanitë Adria Ferries dhe Ventouris: “Anijet po nisen me vonesa të konsiderueshme: 1 orë vonesë në fillim të korrikut, 4-5 orë nga fillimi i gushtit deri tani. E shkak për këtë duket se është ngadalësia e kontrolleve të Policisë  së kufirit”.

“Autoriteti Portual është ai që në bazë të ligjit duhet të garantojë funksionimin korrekt të të gjitha veprimtarive dhe shërbimet në mbështeetje të pasagjerëve. Së fundi ka hyrë në fuqi një ligj evropian që parashikon se për vonesa të konsiderueshme në nisjen e anijeve, pasagjerët mund të kërkojnë rimbursimin e një pjese të biletës nga kompanive të lundrimit, e këto të fundit duke mos pasur faj në këtë mes, mund të kërkojnë shlyerjen e dëmeve nga Autoriteti Portual. Duket se po ndodh pikërisht kështu: në kulmin e trafikut të pasagjerëve në portin e Barit, janë me dhjetëra pasagjerët që kanë kërkuar rimbursimin e biletës nga kompanitë e këto të fundit Autoritetit portual të Barit”. (Shkrimi në origjinal: Bari-Durazzo “all inclusive”: ritardi e disagi compresi nel prezzo)

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Lind SHEKM, për një kulturë të re në informimin e shoqërisë

Emigracioni shqiptar dhe problemet e tij sociale