in

Më e thjeshtë ardhja në Itali për punonjësit e huaj të kompanive shumëkombëshe

Miratohen përfundimisht rregullat e reja për hyrjen e qëndrimin e drejtuesve të lartë, punonjësve të specializuar dhe punonjësve për formim profesional. Do të pajisen me një lejeqëndrim të veçantë

Romë, 4 janar 2017 – Punonjësit e huaj të korporatave shumëkombëshe do të mund të vijnë më lehtë në Itali e më pas edhe të shkojnë në një vend tjetër të BE-së, falë rregullave të reja që parashikojnë hyrje jashtë kuotave dhe një leje qëndrimi të veçantë.

Më 23 dhjetorin e shkuar, Këshilli i Ministrave miratoi përfundimisht dekretin legjislativ që vë në jetë direktivën 2014/66/BE mbi kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të drejtuesve, punonjësve të specializuar dhe atyre në formim profesional të Vendeve të treta në kuadrin e transferimeve brenda shoqërive shumëkombëshe. “Mes objektivave të kësaj mase – lexohet në komunikatën e Qeverisë – është edhe futja e përkufizimeve të përbashkëta dhe e kushteve të pranimit transparente dhe të thjeshtëzuara për këto kategori”.

Ndërmarrjet do të mund të sjellin këtu punonjësin sapo të enë nevojë për të, pavarësisht nga kuotat e kohët e pritjes së dekreteve të flukseve, duke paraqitur online kërkesën për autorizim në sportelin unik për imigracionin, që duhet të përgjigjet brenda 45 ditëve. Një procedurë e thjeshtëzuar, e për rrjedhojë edhe më e shpejtë, parashikohet për ndërmarrjet që nënshkruajnë protokolle mirëkuptimi me ministrinë e Brendshme.

Kur të jenë këtu, punonjësit do të kenë një leje qëndrimi të veçantë ICT (Intra-corporate transfer), me kohëzgjatje sa ajo e transferimit të kërkuar: maksimumi tre vjet për drejtues të lartë e punonjës të specializuar, maksimumi një vit për stazhistët. Pavarësisht nga kohëzgjatja e lejeqëndrimit, ata do të mund të sjellin në Itali edhe familjarët e tyre me bashkim familjar.

Në Itali do të mund të mbërrijnë edhe punonjësit që kanë marrë një lejeqëndrim ICT në një tjetër Vend të BE-së. Për qëndrime deri në 90 ditë, do të mjaftojë një “deklarim prezence”, ndërsa për qëndrimet mbi 3 muaj do të duhet të kërkojnë një dokument tjetër ICT por mund të punojnë në Itali edhe ndërsa presin lëshimin e tij.

EP

 

Shtetësi, bashkim familjar e test i italishtes, sot nuk mund të aplikohet

Vetëcertifikimet u ndalohen të huajve, në radhë edhe këtë vit