Një feste pagane, që e ka origjinën në kohën kur njerëzit i faleshin perëndive. Tradicionalisht pelegrinazhet në Ditën e Verës bëheshin në majat më të larta të maleve. Sot në majat më të larta duket se po ngjiten vetëm politikanët e “Tokës së Kuqe”
Shqipëri. Pas një dimri tejet të vështirë, papritmas njerëzit janë pushtuar nga një ndjesi gëzimi fare pa e kuptuar. Deri pak ditë më parë “Acari” kishte izoluar një pjesë të mirë të territorit shqiptar, dëbora favorizoi në mënyrë të veçantë politikanët për të mbjellë akuza ndaj njëri tjetrit dhe për të korrur tension dhe pesimizëm në të gjithë vendin.
Në vigjilje të natës së Ditës së Verës, ndoshta nga ndikimi i mirë i hënës dhe i pozicionimit të yjeve në pikat e duhura, klima në territorin shqiptar dukej më e ngrohtë. Kjo, falë edhe rrezeve të ngrohta të diellit që ditët e fundit kanë joshur gjelbërimin, nxituar shpërthimin e farave dhe të sythave që janë shprehje e vazhdimësisë dha begatisë në vend.
Tradicionalisht pelegrinazhet në Ditën e Verës bëheshin në majat më të larta të maleve. Kjo për të qenë me afër Perëndisë së Diellit. Në majat më të larta ngjiteshin edhe për të ndezur zjarret me flakë gjigante për të djegur shtrigat dhe për të mbajtur larg kafshët e egra dhe për të eliminuar çdo gjë të ligë.
Sot në majat më të larta duket se po ngjiten vetëm politikanët e “Tokës së Kuqe”. Kodrat dhe majat më të larta të maleve, pikat më strategjike të vendit (duke përfshirë këtu edhe bregdetin) i kanë kthyer në prona private. Atje, ata kanë ndërtuar bizneset e tyre të fëlliqura ose vende luksoze ku adhurojnë perëndinë e tyre, të ashtuquajturën “Pushtet”.
Pushtetarët e “Tokës së Kuqe” nuk kanë hequr dorë nga ndezja e zjarreve dhe thurja e veroreve. Ata vazhdojnë t’i ndezin zjarret e tyre të stërmëdhenj jo vetëm në Ditën e Verës, por edhe gjatë gjithë vitit. Në gjuhët e flakëve përfundojnë ata të cilët besojnë akoma tek Zana e Çermenikës, perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës që del nga faltorja e vet ditën e 14 Marsit. Në emër të pushtetit dhe me ndihmën e korrupsionit ata vazhdojnë të thurin “verore”, gjalma të përgatitura me papunësi, borxhe dhe varfëri, që ua varin në qafë shqiptarëve fatkëqij por nuk arrijnë të manipulojnë shpresën e qindra mijëra besnikëve të fundit të paganizmit të cilët festuan më këngë e me valle Ditën e Verës.
Për një ditë të vetme shumë nga ata mundën të blinin lodra dhe ëmbëlsira për më të vegjlit e të shijonin në kushte “maksimale” higjienike shijen e “mrekullueshme” të flokëve të sheqerit ngjyrë rozë, të kokoshkave nëpër karrocat e ndryshkura të viteve “x”, apo të ballokumeve. Këto të fundit ishin vendosur në copa kartoni të ndotur nga gjalpi dhe pluhuri në trotuaret e rrugëve të stolisura me lule shumëngjyrëshe si në pikturë të Botiçelit, dhuratë kjo e bashkive përkatëse dhe e qeverisë shqiptare.
Janni Luan Cajku