in

Merkel në Kosovë: “Të zgjidhet çështja e veriut të Kosovës”

Lidhur me situatën në veri, Merkel u shpreh se ka folur për këtë çështje edhe me liderët serbë, për shuarjen e strukturave paralele. Në konferencën për shtyp kancelarja gjermane, Angela Merkel pas takimit me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, renditi kërkesat e saj për rajonin, “për rend, siguri, bashkëpunim ndër-fqinjësor dhe tregti të lirë”.

Prishtinë, 19 dhjetor 2011 – Duke falënderuar për pritjen e përzemërt, Kancelarja Angela Merkel tha se Gjermania është ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën, dhe vlerësoi se “Kosova demokratike dhe multientike është kontribut për të ardhmen e Ballkanit”. Kancelarja gjermane foli për angazhimin e qeverisë së saj në Kosovë, dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të Kosovës, funksionimin e shtetit ligjor dhe demokratik, si edhe rëndësinë e bashkëpunimit me EULEX-in.

Lidhur me situatën në veri, Merkel u shpreh se dhe në Serbi ka folur për këtë çështje me Tadicin, prej nga kërkuar që të shuhen strukturat paralele. Ajo u shpreh se ka kërkuar që të gjenden forma të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe për këtë tha se ka lutur edhe palën kosovare të japë kontributin e saj.

Ajo tha se në bisedat drejtpërdrejta edhe me liderët serbë, ka shprehur nevojën për gjetje të mundësive për tregti të lirë, bashkëpunim në çështjet e kufijve si dhe shuarjen e strukturave paralele. Në këtë drejtim, Merkel tha se pret që edhe pala kosovare të bëjë më shumë  në mënyrë që të ketë zgjidhje paqësore të kësaj çështje, të situatës në veri dhe marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e pakursyer për Kosovën. Ai tha se ka siguruar kancelaren gjermane se Kosova do t’i përmbushë detyrimet e saj, duke qenë e vendosur që ta përmbyll kapitullin e konfliktit dhe të hap atë të zhvillimit.

“Kosova do të jetë e përkushtuar për dialogun, që është i vetmi opsion për përmirësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë”, mirëpo sipas tij, “dialogu vlen vetëm nëse edhe Serbia zbaton marrëveshjet”, dhe shfaqi shpresën që ky shtet do të reflektojë në këtë drejtim.

“E sigurova kancelaren se do të punojmë shumë në përfshirjen e qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës. Ata janë qytetarët e vendit tonë dhe e kemi për detyrë t’u shërbejmë të gjithëve. Në veri qeveria nuk është në konflikt me qytetarët, por ligji me anarkinë”, u shpreh Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit e ka siguruar kancelaren gjermane se qeveria e tij “do të punojë në ndërtimin e vlerave evropiane, do të vazhdojë qeverisjen e mirë me prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit”.

Ai falënderoi gjithashtu edhe ushtarët gjermanë, disa prej të cilëve janë plagosur në veri, duke u shprehur “Unë përulem dhe lutem për shëndetin e tyre e për shërimin e tyre sa më të shpejtë”.

E nxjerrin me forcë nga shtëpia, i vë flakën

Kriza ekonomike rrezikon edhe monumentet e kulturës