in

Mersini, eksportuesi i perimeve që punëson një fshat të tërë

Mersini është një sipërmarrës modest në fushën e bujqësisë. Modest në përuljen e tij në punë bashkë me familjen. Por jo në shifrat e biznesit të tij. Rreth 10 mijë tonë perime në vit ai i eksporton në 30 shtete të ndryshme
Nga Albana MUÇAJ

Kur fëmijët janë pjesë e tryezës, fruta-perimet marrin një rëndësi të veçantë. Sa më shumë lajme nga fushat bujqësore për hormone të shtuara, aq më e vështirë bëhet gjetja e prodhimeve të shëndetshme. Në kërkim të fruta-perimeve sa më natyrale e të thjeshta (por jo domosdoshmërisht të bukura) gjej në zonën e Selitës, pak mbi shkollën 9-vjeçare “At Zef Pllumi”, një dyqan të thjeshtë. Gruaja që vendos në qese frutat që kam zgjedhur, duket më shumë se një tregtare. Mollëzat e gishtave i ka të çarë e të nxirë dhe ndërsa vendos prodhimet thotë: “Pa merak, i ke nga fusha jonë”. Surprizë, prodhimet në zonën time, vijnë nga ferma në Gosë të Kavajës. Një fermë që kam vizituar 7 vite më parë. Në atë kohë në “Monitor” shkruaja për familjen që kishte marrë tokë me qira, ku mbillte e kultivonte disa lloje produktesh, përfshirë edhe brokolin, i cili sapo kishte filluar të vlerësohej te ne. Ishte djali i familjes Zhupa që pas disa vitesh emigrimi, kishte qartësuar më shumë idetë për të investuar në bujqësi.

Mersini është burri i kësaj zonje. Ata zgjohen herët në mëngjes dhe dita për ta është shumë e gjatë. Me oraret ia kalojnë çdo personi në karrierë dhe punën nuk e kanë aspak të lehtë. Të tregtosh fruta e perime do të thotë, fitime të ulëta për njësi shitje, e rreziqe të mëdha, si firo gjatë kohës së transportit e tregtisë, edhe dëme në fushë. Mersini thotë se edhe këtë dimër u dëmtua nga përmbytjet, por nuk ndihet “i mbytur” në pesimizëm. Mes tokës në pronësi dhe asaj të marrë me qira, ka një sipërfaqe prej 40 hektarësh, që e mbjell dy herë në vit.

Që kur “Monitor” shkruante për “modën” e investimit në bujqësi, Mersini ka ecur me biznesin e tij. Përveçse ka 45 të punësuar gjithë vitin në fushë e në magazinim, ai ka krijuar mundësinë e punësimit të më shumë se një fshati. Për tregtinë jashtë vendit ka kontraktuar e bashkëpunon me gati 400 familje fermere të shtrira mes Kavajës dhe Lushnjës. Bashkë me tokën e marrë me qira dhe tokës që mbillet nga kontraktuesit e tij, sipërfaqja me perime arrin në 150 hektarë. Prodhimet e kësaj toke, sipas stinës, Mersini ka arritur t’i dërgojë në gati 30 shtete. Vendet fqinje, kryesojnë si destinacione të perimeve, por nuk mungojnë edhe eksportet në Ukrainë e Rusi. Në të gjitha këto vende, kompania e tij e tregtimit të prodhimeve bujqësore dërgon rreth 450 kamionë në vit, duke eksportuar deri në 10 mijë tonë perime.

Tregtia që nisi nga bahçja

Mersini nuk e ka për turp kur thotë se është “fshatar 24 karat”. “Punën e nisa 21 vite më parë, duke shitur perimet e bahçes sime”, thotë ai. Nga një kompani të regjistruar si person fizik, sot është një shoqëri prodhuese e tregtare.

Çelësi i suksesit të Mersinit duket se është koherenca. Ajo e ka ndihmuar të qëndrojë e të rritet në treg. “Objektivi im që në fillim e tani vijon të mbetet gjetja e tregut për prodhimet bujqësore. Këtë e doja kur kisha prodhimet e bahçes sime, këtë dua dhe sot, por për më shumë prodhime sigurisht”, thotë Mersini.

Ecja me hap të matur, por pa u ndalur, duket se të çon larg. Edhe kur e pyet për planet e së ardhmes, Mersini nuk të befason me përgjigjet e tij. Nuk të krijon shumë optimizëm (nuk jep lajm), por përçon sigurinë se këtë sipërmarrje kemi shumë shanse ta gjejmë në këmbë edhe po të rikthehemi pas 5 apo 10 vitesh në Kavajë.

“Plani im për të ardhmen është të stabilizoj biznesin”, thotë ai. Kur flet për këtë, ka parasysh edhe sigurimin e tregjeve, por edhe shmangien e sa më shumë dëmeve të motit. “Një pjesë të tokës e kam bri lumit, e në jo pak raste prodhimet janë dëmtuar nga përmbytjet”. Vetëm këtë dimër ai thotë se pësoi rreth 200 mijë euro dëme nga përmbytjet. Nuk pret dëmshpërblim për këtë, pasi e di se nuk i kompensohen të mbjellat buzë lumit.

Po a ka marrë Mersini subvencione dhe sa është mbështetur në punën e tij?!

“As financime dhe as kreditim”, – thotë ai, duke treguar se nuk i di as dyert e agjencisë shtetërore që menaxhon fondin për financim. Shpresat e vetme për rritjen i ka ndalur te puna që bën, që kanë bërë prindërit e gjyshërit e tij. Nuk beson shumë te mbështetja e të tjerëve. Kjo nuk do të thotë se nuk ka hasur në pengesa. “Ka pasur sa të duash, – thotë ai, – por kemi arritur të mbijetojmë”.

Një model që pak gjendet në këto kohë, kur jo vetëm shoqata e biznesit por edhe ekspertë ekonomie, i kërkojnë qeverisë të jetë e vëmendshme ndaj sipërmarrjeve.

Efektet e krizës financiare që nisën nga viti 2008, duket se nuk po “shqiten” nga shumë sipërmarrje. Kriza e konsumit ka gjunjëzuar shumë ndërmarrje prodhuese e së fundi edhe ato të eksportit.

Por, qëndrimi në këmbë i një biznesi bujqësor, mban të gjallë shpresën se bujqësia është e ardhmja e Shqipërisë. Ky është sektori që i ka qëndruar më besnik ekonomisë së vendit, duke i dhënë edhe në periudhat më të vështira gati 20% të buxhetit.

Së fundi po flitet shumë për investimet në bujqësi e prapë mendja na shkon te fondet mbështetëse. Por, kur këto mekanizma nuk përdoren drejt, zgjidhja më e mirë duket qëndrimi larg baticave politike. Mersini ia ka dalë.

Tregu i brendshëm

Në gusht të 2015-s, prodhuesi e tregtari nga Kavaja, ka ngritur një magazinë në Tiranë. Ajo i nevojitet për të menaxhuar tepricat e eksportit, e njëkohësisht për të furnizuar ato pak pika shitje që ka brenda vendit.

Në dyqanin në Selitë, gati 70% e furnizimit vjen nga fusha. Ose më saktë, të gjitha perimet. Frutat janë prodhime të fermerëve të tjerë, por prapë vendas. Por, si ka mundësi që një eksportues deri në skajet e Europës, nuk ka zhvilluar shumë shitjet brenda vendit. Mund të quhet strategji, ose luftë për të mbijetuar. Po të kishte filluar me shitjet brenda vendit, është i bindur se nuk do të kishte ecur kaq shumë, jashtë shikon më shumë hapësira. Ai ka zhvilluar e forcuar biznesin e tij duke shitur jashtë, e sot ndoshta ka më shumë mundësi të zgjerojë punën me shitjet brenda vendit.

7 vite më parë

Me rreth 70 hektarë tokë bujqësore të marrë me qira në Gosë të Kavajës, ferma e perimeve e ngritur nga familja e Mersinit ishte ndër më të mëdhatë që prodhon në fushë të hapur.

Babai, ish-punonjës i fermës së Gosës, sot bashkëpunon me të birin, i cili e ka shfrytëzuar më së miri qëndrimin e tij në Itali prej vitesh për të adaptuar teknologjinë e re të kultivimit të bimëve, por edhe për të gjetur treg për prodhimet e tij.

Toka e pajisur me sistemin e vaditjes me pika, mundëson që çdo rrënjë bime merr ushqimin dhe ujin njëkohësisht.

Në tokën e sapopunuar nga traktorët, punëtorët e fermës kishin shtrirë asokohe një impiant tjetër ujitës, i cili do të furnizojë tokën me lagështinë e përshtatshme për mbjelljen. E gjithë puna në fermë, synon rritjen e rendimentit përmes investimeve të duhura. Ndërsa toka është marrë me qira, drejtuesi i fermës tregon se të gjitha makineritë dhe pajisjet janë blerë nga familja. Investimi kapital i fermës llogaritet në mbi 100 mijë euro (vlerë jo e lartë për faktin se traktorët e makineritë e blera janë të përdorura) ndërsa investimi për prodhim llogaritet mbi 250 mijë euro. Sipas ekonomistit të fermës, mes farërave hibride, inputeve, ujitjes dhe shërbimit dhe vjeljes, kostoja e prodhimit për një sezon arrin 3 mijë euro për hektar. Pavarësisht investimeve, mbjellja dhe vjelja, ishin të pamekanizuara duke bërë që ferma të ketë nevojë për një numër relativisht të lartë të punëtorëve, veçanërisht në pikun e prodhimit. Familja e Mersinit thotë se në periudhën e vjeljeve, numri i punëtorëve i kalon 60.

Nëse nuk do të shikonim makinat që mbërrijnë në mëngjes me punëtorët nga zona e Lushnjës, do të ishte e vështirë të besojmë që punëtorët në bujqësi marrin përsipër të punojnë jashtë zonës së tyre, apo tokës së tyre në tërësi.

Për drejtuesit e fermës, punëtorët e Lushnjës janë të specializuar në kultivimin e perimeve dhe oferta në vend (Kavajë) është më e ulët. Paga mesatare ditore e punëtorëve është rreth 1 mijë lekë në ditë.

Marrja me qira e tokës bujqësore ka hedhur pas krahëve për këtë familje, një prej problemeve kryesore të bujqësisë: tokën bujqësore të parcelizuar, por nuk ka arritur të shmangë problemet që hasen në sistemin e ujitjes. Që atë kohë, fermerët sipërmarrës ishin optimistë për zgjedhjet e tyre.

Pas shtimit të kontratave të shitjes me agroindustrinë vendase dhe realizimin e kontratave të reja me jashtë, sipërmarrësit kishin vendosur atëherë të ngrenë edhe një kompani tregtare, që do të mundësonte tregtimin e mallrave të fermës me jashtë.

Me ndërmjetësimin e Programit të USAID për Rritjen e Konkurrueshmërisë në Bujqësi (AAC), fermerët e Gosës thoshin atëherë se kishin arritur të nënshkruajnë marrëveshje paraprake për prodhimin për industrinë vendase të konservave të perimeve në kultura të reja.

Fermat në përgjithësi në Kavajë, pjesën më të madhe të perimeve që prodhonin i kishin të destinuara për industri. “Në ecurinë e aktivitetit na ka ndihmuar përdorimi i një teknologjie cilësore: farëra hibride të importuara, të cilat kanë një nivel shumë më të lartë të rendimentit krahasuar me farërat e prodhimit të vetë fermës së një viti më parë, si dhe teknologjia e ujitjes”, thonë fermerët.

Industria, një burim rritjeje

Prodhimet e fermës së Gosës, prej vitesh, janë të orientuara kryesisht për industrinë. Fermerët tregojnë se deri pak vite më parë, sasia e kontraktuar paraprakisht ishte në rritje. Edhe rritja e konkurrencës në industrinë e prodhimit të konservave të perimeve pati bërë që çmimet e kontraktuara të jenë më të kënaqshme. Me ndërmjetësimin e ekspertëve për rritjen e konkurrueshmërisë në bujqësi, fermerët e Gosës patën realizuar kontrata më të mëdha shitje. Kjo i ndihmoi të fuqizojnë aktivitetin në vitet 2009-2010. Kontratat për një fermë nga fabrikat e përpunimit arrijnë në 15 mijë kuintal domate dhe speca. Kjo u dha dorë fermerëve, por nuk zgjati shumë. Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar raporton disa punishte të mbyllura të konservimit të fruta-perimeve në këtë zonë. Kjo i detyroi që pesëvjeçarin e fundit, fermerët të gjejnë shpëtim tek eksportet.

Sigurisht, industria, edhe pse blinte me çmime shumë të ulët, i ndihmoi fermerët të konsolidoheshin. Me përmirësimin e strukturës së prodhimit, fermat në Kavajë ecën më mirë. Sipërmarrësit thonë se “vitet e para prodhonim ato kultura që dinim të prodhimin më mirë, domate, trangull, bostan etj. Më vonë, duke parë kërkesën e industrisë për specin e kuq, filluam të prodhojnë edhe këtë kulturë”. Kurse sot, gama e prodhimeve është zgjeruar. Kur kultivohet në Kavajë, merret parasysh çfarë mund të shitet në rusi, e lakra e bardhë merr rëndësi.

Eksporti, nxit kulturat dimërore

Pas disa vitesh punë, Mersini, fitoi sigurinë për të kultivuar në sasinë dhe cilësinë e kërkuar nga tregu. Kontratat më të mira të shitjes në eksport ishin ato të brokolit dhe preshit me një prej rrjeteve të tregtisë së prodhimeve bujqësore në Itali.

Por në sezonin e dimrit, disa lloje lakrash prodhohen me objektiv për t’u tregtuar në Rusi.

Në këtë treg të ftohtë, perimet e dimrit, ecin mjaft mirë. E ndërsa fermeri nga Kavaja ka parasysh edhe klientët e pasur rusë kur prodhon e tregton perimet, një grusht nga këto perime mbërrijnë edhe në një lagje të Tiranës (në Selitë). Duart e plasaritura të gruas së Mersinit, japin siguri për perimet që vë në tavolinë.

E ndërsa paguan për perimet, merr falas edhe sigurinë se të punosh me ndershmëri mund të ecësh përpara. Ndoshta ky është edhe modeli i biznesit që duhet zhvilluar më shumë në vendin tonë: bujqësi sigurisht, por edhe kush do të investojë në fusha të tjera, të përveshë mëngët, e të shpresojë më shumë te vetja.

Botuar në Monitor

 

Volontariato. Ultimi giorni per iscriversi agli elenchi del 5 per mille

Çeqet familjare edhe për bijtë në atdhe, gjykatësi konfirmon