in

Milano, 150 € në muaj për nënat e reja, edhe të huaja

Këshilli bashkiak miraton një bonus mëmësie pa diskriminime, mjafton një ISEE deri në 20 mijë euro. Pako dhuratë për të gjithë të sapolindurit

Milano, 1 korrik 2016 – Një pako dhuratë mirëseardhjeje për të gjithë të sapolindurit dhe një kartë me 150 euro në muaj për dy vjet familjeve më në nevojë të Milanos që bëhen me fëmijë.

Janë masat në mbështetje të mëmësisë të paraqitura dje nga këshilltari për Mirëqenien sociale Pierfrancesco Majorino në mbledhjen e parë të Këshillit të drejtuar nga kryebashkiaku i sapozgjedhur Giuseppe Sala. Masat do të jenë për  të gjithë rezidentët, italianë e të huaj, sipas parimit që fëmijët janë të gjithë njësoj, pavarësisht prejardhjes së prindërve të tyre.

Karta do t’u mundësojë blerjen e mallrave të domosdoshme në një rrjet dyqanesh e supermerkatosh të konvencionuara, të cilat që tani pranojnë bonus shpenzimesh për familjet në vështirësi ekonomike. Karta do t’u rezervohet familjeve me tregues ISEE deri në 20 mijë euro.

Do të fillohet në mënyrë eksperimentale në shtator, me një rimbushje prej 300 eurosh për dy muajt e parë. Nga viti 2017 karta do të hyjë në regjim të plotë e do të lejojë pagesën edhe të kujdestareve të seleksionuara nga Bashkia apo shërbimet për fëmijët si çerdhja.

Nuk do të ketë asnjë kufizim të ardhurash për “pakon e dhuratës së mirëseardhjes” që Bashkia do t’u nisë nga 2017-ta të gjitha familjeve që bëhen me fëmijë. Do të përmbajë panolina, qumësht pluhur, ushqime të homogjenizuara dhe dhurata të tjera, të ofruara nga sponsor që do të mbështesin nismën e administratës.

“Në pesë vjetët e fundit – tha Majorino – Milano ka investuar rreth 154 milionë euro në nisma në mbështetje të të ardhurave duke u renditur e para në Itali  për këtë lloj politikash. Duam të vazhdojmë, me të njëjtin hap, politikat për të gjitha familjet”.

Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com

 

 

 

Lejeqëndrim personal për fëmijët e huaj, tani është ligj

Darien Levani, l’avvocato scrittore racconta il lato noir della quotidianità