Ndue Bruka 51 vjeç dhe Alban Medha 27 vjeç, dajë e nip, janë ekzekutuar natën e shkuar në qendër të Abbiategrassos
Romë, 16 nëntor 2012 – Natën e shkuar dy shqiptarë janë vrarë me armë zjarri në një rrugë të komunës Abbiategrasso të provincës së Milanos. Viktimat janë dajë dhe nip, Ndue Bruka 51 vjeç dhe Alban Medha 27 vjeç, ndaj të cilëve është shtënë me pistoletë dhe pushkë prej të paktën dy personave.
Praktikisht u kanë ngritur pritë në qendër të komunës, ndërsa dy personat përshkonin rrugën Mazzini me biçikletë. Kanë marrë shtatë plumba (3 njëri e 4 tjetri) në kokë e në bark, që u kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme
Sipas të dhënave paraprake të karabinierëve që po hetojnë rastin, ngjarja ka pasur disa dëshmitarë, por jo të gjithë janë të besueshëm. Për zbardhjen e ngjarjes karabinierët po verifikojnë edhe në të shkuarën e dy viktimave e po kontrollojnë banesat e tyre, për të kuptuar nëse ekziston ndonjë episod që mund të jetë në bazë të vrasjes.