in

Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ashton: “Të shqetësuar për Shqipërinë”

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton, pas takimit me ministrat e Jashtëm të BE-së, ka mbajtur një konferencë shtypi, në të cilën është shprehur e shqetësuar për situatën e krijuar në Shqipëri. Ajo ka thënë se procesi zgjedhor duhet të mbyllet sa më parë.

“Për sa i përket Shqipërisë jemi të shqetësuar. Është i domosdoshëm dialogu mes dy forcave politike në vend. Procesi elektoral duhet të përfundojë dhe duhet që të jepet një vendim përfundimtar për fituesin e zgjedhjeve”, tha Ashton.

Ajo ka thënë se se sapo të përfundojë procesi zgjedhor dhe të merret vesh rezultati, BE do të flasë me mazhorancën dhe opozitën për hapat e mëtejshme.

Më parë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian dolën me një deklaratë të përbashkët gjatë forumit për Ballkanin Në deklaratë thuhet se Bashkimi Europian ka ndjekur me vëmendje zgjedhjet lokale të 2011 dhe thekson se ato u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht vështirësive proceduriale. “Sidoqoftë, situata në Tiranë është shqetësuese”, thuhet në deklaratë. Bashkimi Europian shpreh keqardhje për situatën politike dhe tensionet e rritura që pasuan procesin.

“Është gjithashtu jetike për të gjithë partitë politike të njohin epërsinë e shtetit ligjor mbi çdo interes tjetër. BE u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të mbështesin mbylljen e procesit elektoral në mënyrë të qetë, konstruktive dhe me fokus në të ardhmen e Bashkimit Europian”. BE nxit qeverinë dhe opozitën që në bashkëpunim me shoqërinë civile, të bien dakord mbi reformën elektorale duke adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR në vitin 2007, 2009 dhe 2011 përpara zgjedhjeve të ardhshme. Më tej thuhet se Bashkimi Europian do të dëgjojë vlerësimin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale të 8 Majit.

Ermonela Jaho{br}Violeta shqiptare në 150 vjetorin e Italisë

Të rinjtë kuqezi munden 4-0 nga yjet e Argjentinës