Ministri i Punëve të Brendshme për Shqiptariiitalise.com. Leje qëndrimi të kushtueshme, por për të ndryshuar taksën, duhet ndërhyrja e Parlamentit
Romë, 15 qershor 2012 – “Kjo është një kohë shumë komplekse për vendin, kur kemi një përqindje shumë të lartë të të papunëve, edhe vendas” ndaj duhet menduar “për këta përpara hapjes së flukseve të reja dhe legalizimeve”.
Kështu deklaroi ministrja e punëve të brendshme Anna Maria Cancellieri, e intervistuar në përfundim të konferencës “Imigracioni, një sfidë dhe domosdoshmëri” nga Shqiptariiitalise.com.
“Një vend – shtoi ajo – nuk mund të kalojë jetën nga një legalizim në tjetrin. Është shumë më i drejtë sistemi i flukseve përmes të cilit kush hyn, hyn rregullisht, ligjërisht. Legalizimet nuk janë zgjidhja e problemeve”. E pyetur mbi nevojën e legalizimit të atyre që kanë një vend pune, Cancellieri u përgjigj se “është e komplikuar”.
Shqiptariiitalise.com i kërkoi ministres se ç’është bërë lidhur me lejet e qëndrimit në mënyrë që impakti i taksës së re të jetë më i vogël, siç kishte premtuar ministrja në shkurt.
“E kam premtuar – u përgjigj ministrja – dhe në fakt është një problem që unë kam dhe që e kam për zemër sepse në të vërtetë janë shumë të shtrenjtë në krahasim me kohëzgjatjen që kanë. Por ka një ligj që e ka parashikuar e pra çdo ndryshim duhet të kalojë në Parlament ku duhet të kërkojmë një gjykim më shumë mbi afatet se sa mbi mënyrat, por për këtë po punojmë “.