Ministria lajmëron se korrigjimi i rubrikës Vendlindje do të përfundojë brenda tetorit e se më pas “shtetasit e interesuar mund të ndjekin procedurat në fuqi për pajisjen me këto dokumente”. Asnjë fjalë për ata që këto dokumente i kanë e u duhet t’i ribëjnë për një gabim që nuk varet prej tyre. Dikush duhet t’u shpjegojë pse duhet të paguajnë dy herë
Tiranë, 4 shtator 2014 – Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur nga puna për konkretizimin e ndryshimeve të parashikuara për mënyrën e shkrimit të toponimit në rubrikën “Vendlindja” në dokumentet e lëshuara nga shërbimi i Gjendjes civile për përdorim nga autoritetet e huaja, si dhe në sistemin e lëshimit të dokumentave të Identitetit.
Bëhet fjalë për zgjidhjen përfundimtare të problemit të toponimeve në letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike për shtetasit shqiptarë të lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, veçanërisht për ata që kanë lindur në Greqi.
Më 27 gusht, hidhet hapi i parë. Qeveria merr një vendim sipas të cilit përcaktohet që:
“Në të gjitha modelet e certifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën “vendlindja” të plotësohet, i shkruar sipas rasteve:
a) Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO;
b) Për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO;
c) Rubrikat e tjera të certifikatave, për përdorim nga autoritetet e huaja, të plotësohen në gjuhën zyrtare shqipe”.
Në pikën e dytë të vendimit lexohet se “ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për nxjerrjen e akteve për rregullat e plotësimit të rubrikës “vendlindja”, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”.
Tani, Ministria lajmëron që ka filluar puna për të realizuar ndryshimet e nevojshme në sistemet e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe Dokumenteve të Identitetit, si dhe në dokumentet që lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile (certifikatat për përdorim nga autoritetet e huaja) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike).
“Këto ndryshime priten të përfundojnë brenda muajit tetor 2014” lajmëron ministria sot, më 4 shtator, dhe se “me vënien në funksion të ndryshimeve, shtetasit e interesuar mund të ndjekin procedurat në fuqi për pajisjen me këto dokumente”. Praktikisht asnjë fjalë mbi çmimin. Çka do të thotë se i interesuari do të pajiset me dokumentet e reja duke i paguar njësoj sa ç’pagoi ato që shteti shqiptar ia lëshoi me të dhëna të gabuara (sepse nuk ishte qytetari ai që nuk respektoi marrëveshjet ndërkombëtare) vetëm 2-3 vjet më parë duke i shkaktuar jo pak telashe. Madje edhe atë pasaportë të parë biometrike ndokush e ka marrë nga halli, edhe pse pasaportën shqiptare të mëparshme mund ta kishte akoma të vlefshme dhe në xhep, as e kish humbur, as e dëmtuar: edhe atëherë ishte qeveria ajo që me një vendim i nxori nga qarkullimi të gjitha më 1 mars 2012 (duke paralajmëruar qytetarët vetëm dy muaj para). Duke u shkaktuar atëherë akoma më shumë telashe qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Lexo edhe:
Vendimi i Qeverisë i 27 gushtit. Hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit të toponimive
Pasaportat biometrike. Nga 1 janari 2015, çmimi do të rritet me 25%
Si do të jenë certifikatat dhe pasaportat e reja:
Si janë sot certifikatat e pasaportat: