Përvetësohet direktiva europiane që ashpërson dënimet për kë punëson punonjës të huaj pa leje qëndrimi. Parlamenti kishte kërkuar futjen e një “mase kalimtare”, apo me fjalë të tjera, një legalizim të të huajve pa lejeqëdrimi por të punësuar
Romë, 6 qershor 2012 – Këshilli i ministrave, lexohet në komunikatën e sotme të qeverisë, ka miratuar në mëngjes “në mënyrë përfundimtare, me propozim të ministrit për çështjet europiane, dekretin legjislativ që përvetëson normativën komunitare 2009/52/CE mbi sanksionet dhe masat ndaj punëdhënësve që punësojnë shtetas të vendeve të treta me qëndrim të parregullt”.
Dekreti në fjalë sjell në fuqi dënime më të rënda për ata që punësojnë të huaj me qëndrim të parregullt, dhe lejeqëndrim për mbrojtje humanitare atyre që padisin raste të veçanta shfrytëzimi në punë.
Por para pak kohësh, parlamenti i kishte kërkuar qeverisë edhe një “masë kalimtare”, që t’u lejojë familjeve dhe ndërmarrjeve që të vetëdenoncohen për t’i shpëtuar sanksioneve, dhe të mundësohet marrja e lejes së qëndrimit për të huajt e parregullt që punojnë. Që me fjalë të tjera mund ta quajmë legalizim apo sanatore.
Orët e ardhshme do të dimë nëse qeveria ka vendosur t’i përgjigjet apo jo pozitivisht kërkesës së Parlamentit (dhe duhet thënë që në zyrat e ministrive ka njëfarë optimizmi). Javët e shkuara, me kërkesë të ministrit Andrea Riccardi, qeveria ka diskutuar mbi mundësinë e sanatores dhe të kostose që ajo do të ketë për punëdhënësit. Në bocën që qarkullon, që merrte në konsideratë sugjerimet e Senatit, flitej për njëmijë euro, përveç të paktën tre muajve kontribute e taksa.
Elvio Pasca