in

Mjekët: “Përmirësohet gjendja shëndetësore e Leka Zogut”

Prej 15 nëntorit,  Leka Zogu, 72 vjeç, gjendet i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po i nënshtrohet terapisë intensive në repartin e reanimacionit Prof. Petrela: “Leka Zogu nuk ka kaluar asnjëherë gjendje kome dhe tashmë po përmirësohet dita ditës”

Tiranë 18 nëntor 2011 – “Gjendja shëndetësore e Leka Zogut, që ndodhet i shtruar në reanimacionin e të Neurokirurgjisë të spitalit “Nënë Tereza”, është përmirësuar”. Kështu është shprehur të enjten në darkë shefi i këtij repartit, Mentor Petrela. 

Sipas prof. Petrelës, pacienti ka disa lloje te diagnozave, ose e thënë ndryshe, multisistemike, të cilat kanë rënduar gjendjen e tij, ndërkohë që gjatë ditës së enjte situata është përmirësuar. “Leka Zogu ka një sëmundje që quhet multisistemike. Pra janë disa sisteme që janë të interesuara dhe që kanë sjellë një rëndim të situatës së përgjithshme, dhe për këtë arsye u shtrua në reanimacionin tonë. Aktualisht gjendja shëndetësore e tij është më e mirë, në krahasim me kohën kur ai erdhi në spital”, tha Petrela.

“Leka Zogu nuk ka kaluar asnjëherë gjendje kome, ka qenë i kthjellët gjatë gjithë kohës. Kjo është një situatë e cila vjen pas një vuajtje graduale, pra sistemet  kanë vuajtur gradualisht dhe nuk është një gjendje e ardhur në mënyrë akute. Ka qenë gjatë gjithë kohës koherent, i vetëdijshëm në të gjithë kapacitetet e tij”, ka saktësuar Petrela.

Leka Zogu I është vizituar të enjten në reanimacion edhe nga Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha. 

Ndërkohë, Familja Zogu, nëpërmjet një deklarate për median, ka falënderuar Ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili për kujdesin që po tregon për gjendjen shëndetësore të Lekës I. “Gjithashtu Familja Mbretërore shpreh një falënderim të veçantë dhe një mirënjohje vëllazërore për Drejtorin e QSUT Nënë Tereza, Z. Saimir Ivziku, Shefin e shërbimit neurokirurgjik të QSUT Nënë Tereza, Prof. Mentor Petrela, Shefin e reanimacionit të QSUT Ass. Prof. Aleksander Hoxha, Dr Kliti Pilika dhe gjithë stafin mjekësor të QSUT Nënë Tereza dhe përkatësisht të pavijonit ku po mjekohet Leka I. Profesionalizmi, kompetenca dhe humanizmi i drejtorëve, mjekëve dhe stafit mjekësor i jep Familjes Mbretërore besimin se Leka Zogu është në duar të sigurta në QSUT Nënë Tereza dhe se do të kalojë së shpejti këtë situate”, thuhet në deklaratë.

 

 

INSTAT. Në mes të dhjetorit, të dhënat paraprake të Censusit

Prangosen zyrtarë të lartë të ministrisë së Ekonomisë