in

Mjekët spiunë të klandestinëve e stop xhamive. Kështu ‘e do Italinë’ Allam

Në programin e lëvizjes “Io amo l’Italia” të themeluar nga gazetari, flitet shpesh për emigracionin. Veçanërisht për islamin “besim fetar i papajtueshëm me qytetërimin tonë”

Romë, 14 janar 2013 – E do Italinë, Magdi Cristiano Allam. Por jo emigrantët, duke filluar nga myslimanët

Gazetari egjiptian i natyralizuar italian, Magdi Cristiano Allam, është i angazhuar këto ditë në sfidën e vështirë të mbledhjes së të paktën 30 mijë firmave për lëvizjen e tij “Io amo l’Italia”, firma të domosdoshme për t’u paraqitur në zgjedhjet e ardhshme. Akoma më vështirë do të jetë të fitojë ndonjë vend në parlament. Ndërkaq në faqet online të lëvizjes ka paraqitur programin, që për të huajt – veçanërisht myslimanët – rezervon fjalë aspak të ngrohta.

Thelbi i programit është “italianët para të gjithëve”. Allam shkruan të zezë mbi të bardhë: “përparësi italianëve në dhënien e punës në përgjithësi dhe të punës shoqërisht të dobishme në veçanti, të shtëpive të komunave, të vendeve në çerdhe e kopshte, e më në përgjithësi në sistemin shkollor të të gjitha niveleve, në ofrimin e mbështetjes sociale dhe të pensioneve”. Madje sipas Magdi Cristiano Allam, italianët duhet të bëjnë sa më shumë fëmijë, për t’i bërë ballë “vetëvrasjes demografike”, “rënies së shoqërisë autoktone”, apo “shpërbërjes së qytetërimit tonë”.

Kur flet për reformën e shëndetësisë publike, nuk harron të përmendë ata që nuk kanë qëndrim të rregullt në Itali, duke parashikuar “ndalimin e shërbimit shëndetësor publik, me përjashtim të rasteve urgjente kur personi rrezikon jetën”. Këto raste, ama, duhet t’u sinjalizohen “autoriteteve të sigurisë publike dhe organeve të drejtësisë për dëbimin nga Italia”.

Por lugati i vërtetë është islami. Programi kërkon “të investohet për të garantuar sigurinë e kufijve” për t’i bërë ballë “kërcënimit në rritje të shteteve islamike radikale”, ashtu si edhe “kërcënimit të terrorizmit islamik të globalizuar dhe autokton”. Edhe kur flitet për “emigracionin e fortë klandestin” theksohet se është “i instrumentalizuar nga terrorizmi islamik global”.

Kështu që, mes pikave kryesore të programit gjejmë “ndalimin e ndërtimit të xhamive të reja për të mbrojtur qytetërimin tonë laik dhe liberal nga kërcënimi islamik”. Sepse “me gjithë respektin ndaj myslimanëve si persona, duhet të mbrohemi nga islami pasi është një besim fetar i papajtueshëm me qytetërimin tonë”, dhe se “myslimanët si persona mund të jenë edhe të moderuar”, por “islami si besim fetar nuk është aspak i moderuar, sepse objektivisht rezulton në kundërshtim të hapur me të drejtat themelore të individit të njohura ndërkombëtarisht”.

Magdi Cristiano Allam dëshiron ngritjen e një “ministrie të re të Identitetit kombëtar, Qytetarisë, Interimit dhe Kooperimit për Zhvillimin”, në mënyrë që “të lidhen marrëdhënie konstruktive me kë kemi pranë në shoqërinë  multi-kulturore, pa u fundosur në ideologjinë e multi-kulturalizmit”, sepse “ka të drejta që u garantohen të gjithëve pa dallim por edhe detyrime që duhen respektuar nga të gjithë, pa asnjë përjashtim”. Propozim ky i fundit që gazetari kishte hedhur edhe dy vjet më parë, madje ishte vetë-kandiduar për t’u bërë ministër.

Së fundi, lëvizja e tij angazhohet që në Itali “të respektohet ligji, edhe ndaj klandestinëve e emigrantëve me qëndrim të parregullt që përpiqen të hyjnë apo të qëndrojnë ilegalisht, duke parashikuar dëbimin e menjëhershëm si sanksion për veprën penale të tentativës së hyrjes ilegale apo të qëndrimit ilegal”.

Sepse, siç e mbyll Allam në mënyrë shumë origjinale, “ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, edhe për ta”.

Elvio Pasca

Suela Plaka, nënkryetare e komisionit për Mundësi të barabarta në Castel Mella

Eduart Pashuku, arbitri më i mirë në Castelli Romani