in

Mario Monti në Tiranë? Jo, Sali Berisha në Romë

Më 6 dhe 7 maj kryeministri Berisha i shoqëruar nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, zëvendësministri shqiptar i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Enno Bozdo, e një grup sipërmarrësish do të jenë në Romë. Kryeministri do të takojë veç të tjerëve edhe presidentin italian Napolitano, kryeministrin Monti, kryetarin e Dhomës së Deputetëve Fini

Berisha e Berlusconi, gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar në Romë, më 12 shkurt 2010
Romë 1 maj 2012 – Ndryshe nga ç’është shkruar ditët e fundit në mediat shqiptare duke iu referuar një komunikate të Agjencisë së njohur italiane të lajmeve, kryeministri Monti nuk ka në agjendën e tij asnjë vizitë në Shqipëri. Burime zyrtare nga Ambasada Shqiptare në Romë bëjnë të ditur për Shqiptari i Italisë se do të jetë kryeministri shqiptar Sali Berisha ai që do të vijë në Itali për një sërë takimesh. Takimi i parashikuar i Berishës me Montin në Romë është pasqyruar gabimisht nga ANSA si një vizitë e Montit në Tiranë.

Sali Berisha i shoqëruar nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, zëvendësministri shqiptar i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Enno Bozdo, dhe një grup sipërmarrësish do të jetë në Romë në datat 6 dhe 7 maj. Mesditën e të hënës, më 7 maj, kryeministri shqiptar do të takojë homologun e tij Mario Monti me të cilin do të diskutojë rreth çuarjes përpara të projekteve të ndryshme të bashkëpunimit italo-shqiptar, veçanërisht në fushën e energjetikës, si edhe për gazsjellësin TransAdriatik.

Në orën 11.00, Berisha do të ketë një takim me Presidentin italian Giorgio Napolitano, që deri më sot nuk ka vizituar asnjëherë Shqipërinë, dhe në orën 16.00, me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve Gianfranco Fini.

Një vend të rëndësishëm të vizitës e zënë edhe takimet e veprimtaritë për nxitjen e sipërmarrjes italiane në Shqipëri. Në këtë kuadër, Berisha dhe grupi i sipërmarrësve do të takojnë edhe kryetarin e ri të Confindustrias, Giorgio Squinzi, dhe ish kryetaren Emma Marcegaglia.

Të hënën, grupi i sipërmarrësve shqiptarë, bashkë me një grup sipërmarrësish italianë do të marrin pjesë në Forumin Ekonomik “Shqipëria në Europë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane” të organizuar apostafat për këtë rast. Në çeljen e punimeve të Forumit do të përshëndesin Berisha dhe Ministri italian të Punëve të Jashtme Giulio Terzi. Do të jenë të pranishëm në Forum edhe zëvendësministri shqiptar i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Enno Bozdo, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi,  dhe përfaqësues të lartë të Confindustrias dhe nga ministria italiane e Zhvillimit Ekonomik.

Shqiptari i Italisë

Berishës i djeg zemra për emigrantët, por jo kur këta shkojnë në Amerikë

Danezi me origjinë shqiptare është sërish kuzhinieri më i mirë në botë