in

Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 5

Brindisi, marzo 1991

Në numrin 256 dhe 257 të gazetës Bota Shqiptare (që gjeni në pikat e shitjes së shtypit të huaj) dhe në të ardhshmit sjellim të përkthyer “Non abbiate paura – Grand Hotel Albania”, të prezantuar për herë të parë në kuadrin e veprimtarive “Qyteti mikpritës: Shqipëri-Brindisi, 20 vjet më pas” të organizuara në qytetin puljez më 11-13 mars. Falënderojmë për këtë mundësi autorin, Francesco Niccolini, kooperativën Thalassia të Brindisit, dhe Drejtorinë e Turizimit dhe Kulturës së Komunës së Brindisit. Edhe në shqiptariiitalise.com po botojmë disa pjesë të të njëjtit shkrim.

Pjesa e pestë

MOS KINI FRIKË
Grand Hotel Albania

Nga Francesco Niccolini

10 mars.
Gazetat godasin me breshëri ministrin komisar dhe turpin shtetëror. Corriere della Sera flet për “vonesa të pakuptueshme, braktisje, mjerim, shpërfillje, cektësi: Brindizi e ka lakun në fyt. Po ku është Shteti? […] Lattanzio dje në mëngjes shkoi në Bari për një mbledhje të nivelit të lartë, pastaj u zhvendos në Brindizi për një takim të dytë, por as nuk e mori vesh se ç’po ndodh aty ku shqiptarët janë grumbulluar turmë. “Do ta bëj një xhiro në port, flijeni mendjen” u tha gazetarëve. Porse pastaj u përvodh në makinë dhe u nis ngut në aeroport për t’u kthyer në Romë.

Refugjatët po vuajnë, kanë dalë të kërkojnë ushqime, cigare, një gotë verë që t’i ngrohë. Kërkojnë edhe lëmoshë, sepse tashmë janë të dërrmuar. […] “Prisnim mikpritje më të pranueshme.  […] Pse nuk na doni?” E dinin ndryshe Eldoradon, Parajsën mbi tokë, Perëndimin, botën e lirë, e dinin më solidare, më njerëzore, më të kuptueshme. Porse gjetën një realitet që nuk dinë ç’emër t’i venë.

Transferimi nëpër shkolla nuk e ka zgjidhur gjendjen: nuk ka shtretër e as batanije, nuk ka ngrohje, nuk ka gjellë të ngrohta përveç atyre që sjellin banorët dhe vullnetarët. Shërbimet higjienike nuk vonojnë e përmbyten: tre makina pastrimi ujërash të zeza vijnë lart e poshtë nëpër shkolla për të zgjidhur gjendjen por shkollat fillore dhe një qytet i ferrit pak mund të bëjnë përballë një plage biblike.
Nuk ka vend për të gjithë, nuk ka bukë, nuk ka ushqim, dhe këtë të diel me shi gjendja mund të rëndohet, ngaqë tani është ashiqare: shteti nuk është thjesht me vonesë. Shteti ka vendosur të mos ndërhyjë.
Shteti jo, por brindizinët po. Shkojnë nëpër shkolla me thasë me bukë.
Jo qese. Thasë.
U ofrojnë refugjatëve tërë bukën që kanë.
Edhe kështu shpëtohet një qytet.

Ndërkohë Andreotti del në televizor në “Domenica in” dhe flet për Brindizin: thotë se në raste të paparashikueshme si këto, shteti nuk mund të ndërhyjë. Zgjidhja mund të jetë vetëm një dhe mjaft e thjeshtë: le të jenë familjet italiane që të birësojnë nga një shqiptar për kokë. E morët vesh sinjalin? Por s’ishte hiç kaq e paparashikueshme: më 5 dhjetor të vitit të shkuar drejtori i Karitasit të Brindizit e pat shkruar në gazetë “në Shqipëri besohet se janë mëse dhjetëmijë vetë që mezi ç’presin të arratisen me anije drejt Italisë”. Ju lutem, zoti Andreotti, mos na flisni për raste të paparashikueshme.

I vetmi rezultat që ministri komisar arrin këtë të diel dërrmimi e mllefi, është plani i evakuimit të njëzetmijëve: dymijë në Sicili, njëmijë në Capua, tetëqind në Jesolo, njëmijë në Cividale, gjashëtmijë në rrethinat e Metapontes, pesëmijë në kampet e bregut të Puglias. Ndoca do rrinë në Brindisi e të tjerë do riatdhesohen: po, më në fund anija “Tirana” merr lejen e lundrimit: po s’na latë të ikim, do e lemë veten të vdesë urie, ishin kanosur, dhe 1340 vetë u kthyen në shtëpi. Por kur rrangalla niset nga bregu, një thirrje e vetme del prej aty: “Bugiardi”. Dhe s’e kanë fjalën për brindizinët.
Niset edhe treni i parë: shtatëqind shqiptarë shkojnë drejt Sicilisë.

Për herë të parë qëkur plasi epidemia, në bankinat e portit nuk gjen më asnjë: përveç atyre që kanë marrë detin në kthimin më melankolin e të mllefosur drejt shtëpisë, e shtatëqind të tjerëve në tren për Sicili, të gjithë janë nëpër shkolla, pa ngrohje por të paktën me një batanije hedhur. Në pritje të destinacionit.
Ndërkohë, jashtë, vazhdon të bjerë shi.

Në këtë atmosferë surreale dikush deklaron se qyteti i Brindizit meriton një medalje të artë për vlerat qytetare. Është gazeta “Voce Repubblicana”: Giorgio La Malfa ka qenë i pari që ka mbërritur në qytet dhe i pari që ka dhënë alarmin. Është e ashpër gazeta: shkruan se Republikanët e kundërshtojnë me forcë qëndrimin e atyre që i kanë vonuar ndihmat qëllimisht: për të bindur të tjerët të mos nisen nga Shqipëria. Nëse ky qëndrim do të konfirmohej si pozicion zyrtar i qeverisë “s’ka pikë dyshimi se gjendemi përballë një akti të pastër cinizmi”. Më cinike se qeveria italiane ama tregohet Zvicra, që as do t’ia dijë të pranojë shqiptarë në territorin e vet. “Italia i ka të gjitha mjetet për t’i bërë ballë emergjencës dhe si pasojë Zvicra nuk ka ndër mend të marrë asnjë masë në rast mbërritjeje refugjatësh”.

Ndërkohë mbërrin lajmi i të vdekurit të parë: është gjashtëmbëdhjetë vjeç, quhet Dritan Kiptiu. Po ecte nëpër një rrugë në të dalë të qytetit, në errësirë, e shtypi një makinë. Një i vdekur i panjohur, pa fytyrë, pa histori. I pari e për fat i vetmi i vdekur i këtij pështjellimi të lemerishëm.

Lexo edhe: Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 6

Testo prottetto da copyright. Traduzione e pubblicazione in albanese da “Bota shqiptare” per esclusiva concessione degli aventi diritto. “Bota shqiptare” ringrazia l’autore, la cooperativa Thalassia di Brindisi, e l’Assesorato al Turismo e Cultura del Comune di Brindisi per la gentile collaborazione.

Terrorizëm: një shqiptar dëbohet nga Italia

Përfshirja italiane në bombardime ndez polemikat në qeveri