in

Moti i keq. Fundjavë e vështirë në mbarë Italinë

I ftohti polar mbërrin të enjten në darkë në veri e nga e premtja përfshin edhe Italinë e mesme dhe të jugut. Në Romë mbyllen sërish shkolla dhe zyra publike të premte e të shtunë sepse parashikohen 30 cm borë

Romë, 10 shkurt 2012 – Pas dy ditëve relativisht të qeta, Italia po përgatitet për tre ditë të vështira emergjence për mot të keq, këtë radhë me prejardhje nga Balltiku, që do të sjellë ulje të temperaturave dhe reshje të bollshme dëbore edhe në zona fushore. Ministri i Brendshëm Anna Maria Cancellieri ka konfirmuar në Dhomën e Deputetëve se nuk përjashtohen edhe “ngjarje të jashtëzakonshme me mbërritjen në Itali të blizzard-it, fenomen klimatik që po sjell reshje të dendura bore, erë të fortë dhe ngrica. Pas kalimit të shpejtë të blizzard-it në veri-lindje të Italisë natën duke gdhirë e premte, ajri i ftohtë do të godasë Italinë e mesme dhe të jugut, që orët e para të mëngjesit të të premtes: temperaturave në rënie të ndjeshme do t’u shtohen edhe reshjet e dëborës qoftë në lartësi qoftë në zonat e ulëta”.

Krahinat që do të vuajnë më shumë këtë fundjavë do të jenë Emilia Romagna, Toscana, Umbria, Marche, Abruzzo e Lazio.

Dhe 40 viktimave të ditëve të shkuara, u janë shtuar pesë të tjera të të enjtes, kryesisht të moshuar apo të pastrehë që kanë vdekur nga i ftohti.

Romë do të bjerë sërish borë. Parashikimet flasin për 30 centimetra borë, e duket se kryebashkiaku Alemanno e ka kuptuar mirë këtë herë. Sërish ka urdhëruar  mbylljen e shkollave e të zyrave  publike për të premten e të shtunën (përfshirë muzetë, gjë që anulon sërish përurimin e muajit shqiptar të festimeve që duhej të niste më datë 4, e që më pas ishte shtyrë për të shtunën më datë 11).  Kush lëviz në Romë me makinë, dhe nuk ka rrota dimërore, bën mirë të ketë edhe zinxhirët e rrotave me vete në mënyrë që t’i montojë nëse është e nevojshme. Një tjetër urdhëresë e Alemannos parashikon edhe që të gjithë qytetarët të kenë nën kontroll pemët që kanë në oborret e shtëpive, degët e të cilave mund të thyhen dhe të bien në rrugët urbane e të pengojnë qarkullimin (edhe pse trotuareve të Romës sheh akoma degë e pemë të thyera nga bora e fundjavës së shkuar që ende nuk janë hequr nga AMA, ndërmarrja e bashkisë që duhet të mbajë pastër qytetin.

Të gjithë këshillohen të marrin makinat e tyre sa më pak, por nga ana tjetër të premten e të shtunën në Romë do të qarkullojnë vetëm 866 autobusë urbanë të ATAC nga 1.700 që që qarkullojnë normalisht.

Nga ana tjetër, një komunikatë e mbrojtjes civile paralajmëron: “Në kryeqytet pritet të bjerë borë, por duke qenë se shtrirja e tij është e madhe dhe shkon nga 0 deri në 250 metra mbi nivelin e detit, intensiteti i reshjeve do të jetë i ndryshëm në zona të ndryshme të Romës. Për më tepër, është mirë të kujtohet që modelet parashikuese të dukurisë klimaterike të kësaj fundjave kanë një normë pasaktësie më të lartë se ajo e javës së shkuar”.

Gjithsesi në provincën e Romës, mëngjesin e të enjtes është parashtruar plani i emergjencës për ditët në vijim: do të jenë operativë 500 ushtarë, 300 vullnetarë të Mbrojtjes Civile, 330 punëtorë dhe 70 teknikë të Provincës, krah të cilëve do të punojnë edhe 80 druvarë nga Trentino Alto Adige dhe rreth 100 refugjatë politikë që do të angazhohen në pastrimin e rrugëve dhe asistencën e qytetarëve. Në komuna janë shpërndarë rreth 1.500 ton kripë. Në rrugët konsullore Ardeatina, Laurentina, Nomentana e Tuscolana), dhe në 2 mijë km rrugë provinciale nga ora 6 e të premtes deri në orën 24 të të shtunës është në fuqi detyrimi i mbajtjes së zinxhirëve në makinë dhe ndalimi i qarkullimit të automjeteve të rënda dhe të motoçikletave.

Edhe në Toskanë, ku të ente ishte kohë me diell, natën duke gdhirë e shtunë mund të ketë reshje dëbore dhe ngrica. Salla operative e Mbrojtjes Civile krahinore ka shpallur gjendje gatishmërie deri të shtunën për borën dhe erën e mundshme. Gatishmëria për akullin është shtrirë deri të martën e ardhshme në mesditë. Zonat me rrezik më të lartë janë pjesa malore e Mugellos dhe e Valtiberinas, Casentino, Amiata dhe kodrat në provincën e Grossetos.

Abruzzo, për shkak të motit të keq, kanë zbritur ujqërit. Në kërkim të ushqimit, u afrohen gjithnjë e më shumë qendrave të banuara si Sulmona (L’Aquila) ku janë parë të mërkurën në darkë, fakt ky i pazakontë në një qytet që nuk konsiderohet malor.

Shtetësi nderi për shtatë fëmijë shqiptarë

U mohoi martesën. Kryetari i komunës hidhet në gjyq nga çifti italo-shqiptar