in

Muratori kërcënon ndërmarrjen: “Më paguani ose do të vras veten”

Kërcënon se do të hidhet nga kontejneri muratori Nikollë Gjini nëse ndërmarrja nuk e paguan për punën që ka bërë

Romë, 6 maj 2011 – Quhet Nikollë Gjini punëtori shqiptar që ditën e mërkurë mbajti me frymë pezull familjen, kolegët e punës dhe forcat e rendit. 38-vjeçari shqiptar, prej kohësh me banim në Robbiate dhe i punësuar pranë firmës Avila në Lomagna, hipi mbi një kontejner në oborrin e ndërmarrjes, duke thënë se do të vriste veten nëse nuk paguhej për punën e bërë, me një vlerë prej 10 mijë eurosh. “Prej katër vjetësh punoj pa kontratë, rrëfeu Nikolla nga çatia e kontejnerit, e tani më hoqën nga puna pa më dhënë as rrogat e prapambetura”. Ai ka pësuar dhe një aksident në punë kohët e fundit, gjë që e pengon në gjetjen e një vendi të ri pune.

Zjarrfikësit, karabinierët dhe policët financiarë që shkuan në vendin e ngjarjes, arritën të bindin punëtori të zbriste nga çatia duke i garantuar që do të shqyrtonin imtësisht rastin e tij. Dëshpërimi i punëtori, me dy fëmijë të vegjël 2 dhe 3 vjeç, sipas rrëfimit të tij është rrjedhojë e mashtrimit nga ana e firmës Avila. Pronarët e firmës, e specializuar në impiante, natyrisht që paraqesin një version të kundërt. Sipas tyre Nikollë Gjini është një punonjës i pavarur, pra punon me partita Iva. Ata deklarojnë se marrëdhënia e punës është ndërprerë sepse faturat e paraqitura nga shqiptari nuk janë të rregullta dhe se punëtori ka marrë të gjitha paratë që i takojnë, e tani po i kërcënon që të përfitojë para të tjera.

Por nga shqyrtimet e para del se vërtet Nikollë Gjini punonte me fatura, pra me partita Iva, por që faktikisht ato menaxhoheshin nga vetë përgjegjësit e firmës Avila. Policia Financiare po vazhdon ende kontrollet për të hedhur dritë mbi rastin.

Kontrollori imigrantit: “Shpresojmë që të vijë Hitleri …”

ASD Scanderbeg, kampione e provincës së Parmës