in

Na ka lindur një fëmijë. Ç’dokumente duhet të bëjmë?

Mbrëmë lindi fëmija ynë i parë. Ç’duhet të bëjmë që ta fusim në dokumentin tonë të qëndrimit?

Kur një fëmijë lind në Itali, duhet bërë “deklarimi i lindjes” në Zyrën e Gjendjes Civile të Komunës. “Deklarimi i lindjes” është një komunikim zyrtar që dëshmon lindjen e fëmijës dhe të dhënat personale të të sapolindurit (emër, mbiemër e gjini) si edhe vendin e ditën e lindjes. Me këto informacione formalizohet akti i lindjes i të miturit.

Pavarësisht nga fakti nëse prindërit e të sapolindurit kanë apo jo qëndrim të rregullt në Itali, i mituri gëzon të drejtën që lindja e tij të deklarohet, ka të drejtën e një emri dhe mbiemri dhe të shtetësisë. Kjo do të thotë që për të bërë “deklarimin e lindjes” e fëmijës, nuk është e nevojshme që prindërit të kenë patjetër lejen e qëndrimit.

Zgjedhja e emrit

Para deklarimit të lindjes, fëmijës i duhet gjetur një emër me të cilin do të regjistrohet. Në Itali ekziston një rregullore, D.P.R. 396/2000, që përcakton karakteristikat që duhet të ketë emri i të sapolindurit. Kjo rregullore parashikon, për shembull, që emri i fëmijës – i cili mund të përbëhet maksimumi nga tre emra të shkruar veç e veç – duhet t’i korrespondojë gjinisë së tij dhe nuk mund të jetë ai i babait, nëse ky është gjallë, i motrës apo vëllait, nëse këta janë gjallë; fëmijës nuk mund t’i jepet si emër një mbiemër. Natyrisht ndalohet gjithashtu që të miturit t’i jepet një emër qesharak apo  i turpshëm.

Nëpunësi i Gjendjes Civile që regjistron lindjen mund të kontestojë një emër që nuk lejohet nga rregullorja, por në fund të fundit nuk mund të refuzojë regjistrimin e emrit. Në këtë rast, ai lajmëron prindin se po bën diçka të ndaluar, por nëse ky i fundit insiston, nëpunësi përpilon aktine lindjes dhe informon Prokurorinë e Republikës, e cila, pas sinjalizimit, mund të vendosë të kërkojë një sentencë për korrigjim të emrit.

Emrat e huaj që u jepen të sapolindurve duhet të shkruhen me germa të alfabetit latin dhe, po të jetë e mundur, edhe me shenjat diakritike (elementet shtesë që ndryshojnë shqiptimin e germës si për shembull dy pikat e Ë-së).

Në rast se ka ndryshime për të bërë pasi është lëshuar akti i lindjes, duhet paraqitur një dëshmi e lëshuar nga përfaqësia diplomatike e Vendlindjes në të cilën specifikohet emri i saktë me të cilin qytetari i saj njihet.

Procedura e deklarimit të lindjes

Kush mund ta bëjë?

Nëse prindërit janë të martuar dhe të dy e njohin fomijën, deklarimi mund të bëhet edhe nga vetëm njëri prej tyre. Nëse prindërit nuk janë të martuar po që të dy e njohin fëmijën, në çastin e deklarimit të lindjes duhet të jenë të pranishëm të dy bashkë. Në fakt, vetëm babai biologjik nuk mund ta njohë ligjërisht fëmijën, ndërsa e ëma, edhe vetëm, mund ta njohë e ta regjistrojë fëmijën, veçanërisht në rastin kur i ati nuk do ta njohë të sapolindurin.

Së fundi, nëse nëna nuk dëshiron të njohë të aspolindurin, asaj i garantohet anonimiteti dhe regjistrimi i lindjes bëhet nga Drejtoria Shëndetësore e Spitalit.

Deklarimi i lindjes

Në aktin e lindjes do të regjistrohen të gjitha të dhënat që jepen nga deklaruesi: emër dhe mbiemër i të miturit, shtetësia që merr, kush janë prindërit e tij e nëse këta të fundit janë të martuar mes tyre apo jo.

Për regjistrimin e lindjes ekzistojnë dy opsione:

  1. Brenda 3 ditëve nga lindja duhet bërë deklarimi në Drejtorinë Shëndetësore të spitalit kë ka ndodhur lindja. Kush paraqitet për të bërë deklarimin, duhet të ketë me vete një dokument identiteti, që mund të jetë karta e identitetit, jela e qëndrimit ose pasaporta. Më pas Drejtoria Shëndetësore e spitalit do t’i përcjellë deklarimin Nëpunësit të Gjendjes Civile të Komunës. Kjo do të thotë që prindi nuk duhett ë shkojë në Komunë për deklarimin e lindjes së fëmijës së tij, meqë në vend të tij e bën spitali.
  2. Në rast se nuk bëhet deklarimi i lindjes në Drejtorinë Shëndetësore të Spitalit, prindi ka 10 ditë kohë për t’u paraqitur drejtpërdrejt në Zyrën e Gjendjes Civile të Komunës ku lind fëmija ose të Komunës ku prindërit janë rezidentë, për të deklaruar lindjen e të miturit. Në këtë rast, kush bën deklarimin duhet të ketë me vete certiikatën e lindjes të lëshuar nga materniteti.

Në rast se deklarimi bëhet pas 10 ditëve, deklaruesi duhet të tregojë arsyet për të cilat deklarimi bëhet me vonesë. Në këtë rast, Nëpunësi i Gjendjes Civile ndjek procedurën e përpilimit me vonesë të aktit të lindjes dhe sinjalizon rastin në Prokurorinë e Republikës. Nëse deklaruesi nuk justifikon motivin e deklarimit me vonesë apo nuk paraqet certifikatën e asistencës në lindje, deklarimi i lindjes mund të pranohet nga Nëpunësi i Gjendjes Civile vetëm pasi Gjykata të autorizojë regjistrimin, pas verifikimeve dhe hetimeve të kryera për lëshimin e dekretit të “kryerjes së procedurës së ratifikimit”.

 Së fundi, Nëpunësi i Gjendjes Civile komunikon aktin e lindjes së fëmijës Nëpunësit të rezidencës (Anagrafe) në mënyrë që i sapolinduri të regjistrohet automatikisht si rezident i komunës. Në rast se prindërit janë të huaj, Nëpunësi i rezidencës verifikon nëse ata janë efektivisht të regjistruar në listën e rezidentëve para se të vazhdojë me regjistrimin edhe të të miturit në këtë listë.

Kujdes!!!

Nëse fëmija vdes përpara lindjes apo vdes përpara regjistrimit të lindjes në Drejtorinë Shëndetësore të spitalit, deklarimi i lindjes bëhet vetëm para Nëpunësit të Gjendjes Civile të Komunës ku ka lindur fëmija.

Njerrja e kodit fiskal dhe regjistrimi në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar

Pasi deklarohet lindja, duhet bërë menjëherë kërkesa për kodin fiskal pranë zyrës së Tatim-Taksave në komunën e rezidencës. Pasi lëshohet kodi fiskal duhet shkuar në ASL të zonës për të regjistruar fëmijën në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar dhe për të zgjedhur një pediatër. Nuk ka një afat të përcaktuar brenda të cilit duhet kërkuar kodi fiskal e duhet bërë regjistrimi në Shërbimin Shëndetësor, por duhet ditur se pa këto dy hapa foshnja nuk mund të përfitojë asistencë të plotë shëndetësore.

Leja e qëndrimit për të miturin e huaj të lindur në Itali

Sipas ligjit të shtetësisë nr. 91/1992, të miturit e lindur në Itali nga prindër të huaj marrin shtetësinë e të paktën njërit prej prindërve, pasi normat në fuqi nuk parashikojnë të drejtën e shtetësisë italiane sipas “ius soli” me pëjashtim të rasteve të veçanta të prcaktuara nga vetë ligji. Nëse prindërit janë titullarë të një lejeje qëndrimi duhet të kërkojnë vënien e emrit të foshnjës në lejen e vet.

Sipas nenit 31 të dekretit legjislativ nr. 286/1998: “Biri i mitur i të huajit që bashkëjeton me të e me qëndrim të rregullt regjistrohet në lejen e qëndrimit ose në Kartën e qëndrimit të njërit apo të të dy prindërve deri në mbushjen e moshës 14-vjeçare dhe ka të njëjtat të drejta qëndrimi në Itali si prindi me të cilin bashkëjeton”.

Për të shtuar të sapolindurin në dokumentin e qëndrimit, mjafton t’i bashkangjitet kërkesës një kopje e aktit të lindjes dhe e kodit fiskal të të miturit. Nuk është e nevojshme që i mituri të ketë pasaportën e vendit i të cilit është shtetas. Kërkesa duhet përpiluar me kompletin e formularëve që gjendet në Postë dhe i duhet nisur në një sportel “Amico” të Zyrave postale Kuesturës kompetente.

Për regjistrimin e fëmijës në lejen e qëndrimit mund të dallohen dy raste. Në të dyja parashikohet të paguhet një pullë-taksë 16,00 € dhe 30,00 € për dërgesën postare të kompletit të formularëve.

  1. Lejeqëndrimi është akoma i vlefshëm apo është lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë (e ashtuquajtura kartë qëndrimi): Në këtë rast kërkohet përditësimi (aggiornamento) i thjeshtë i dokumentit të qëndrimit që bëhet duke përpiluar formularin 1 të modelit 209 të kompletit të formularëve. Të dhënat personale të foshnjës shënohen në fushën “Figli minori di 14 anni a carico regolarmente soggiornanti in Italia” dhe kërkesës i bashkangjitet veç dokumenteve të fëmijës, edhe kopja e pasaportës dhe e lejes së qëndrimit të prindit. Duke qenë se bëhet fjalë vetëm për përditësim të dokumentit të qëndrimit, paguhet një buletin postar prej vetëm 27,50 €. Kjo zgjidhje është e vlefshme edhe nëse prindi është në pritje të lëshimit të lejeqëndrimit të parë.
  2. Lejeqëndrimi është duke skaduar: Në këtë rast këshillohet të kërkohet njëherazi qoftë përtëritja qoftë futja e emrit të fëmijës në dokument. Dokumentacioni që duhet bashkangjitur është ai i kërkuari për përtëritjen e tipit të lejes së qëndrimit që ka prindi, dhe i dokumenteve të fëmijës. Sipas kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit që kërkohet, vlera e buletinit postar që duheet paguar është:
    1. €107.50 nëse lejeëndrimi i kërkuar do të ketë kohëzgjatje deri në një vit
    2. € 127.50 nëse lejeëndrimi i kërkuar do të ketë kohëzgjatje nga 1 deri në 2 vjet
    3. € 227.50 nëse kërkohet lëshimi i lejeqëndrimit BE për qëndrues afatgjatë.
Nxjerrja e pasaportës

Përpara se të kërkohet pasaporta e shtetit prej nga vijnë prindërit, është e nevojshme të regjistrohet akti i lindjes pranë autoritetit diplomatik apo konsullor të vendit, shtetësinë e të cilit ka fëmija.

Nëse fëmija është shqiptar, për regjistrimin e lindjes në komunën shqiptare ku janë të regjistruar prindërit, duhet të  tërhiqet në komunën italiane certifikata e lindjes e të miturit, me atësi e mëmësi, dhe të legalizohet nga prefektura përkatëse me vulën Apostille. Kjo certifikatë duhet t’i dërgohet një familjari në Shqipëri, i cili e depoziton në zyrën e Gjendjes Civile përkatëse. Ky dokument ka afat përdorimi një muaj nga dita e vendosjes së vulës së legalizimit, prandaj duhet të dërgohet menjëherë në Zyrat e Gjendjes Civile.

Vetëm pas regjistrimit të fëmijës në Shqipëri, atij mund t’i nxirret pasaporta shqiptare në zyrën konsullore të Ambasadës në Romë apo në konsullatën e Milanos. I Porsalinduri duhet çuar në konsullatë i shoqëruar nga të dy prindërit, që duhet të kenë me vete pasaportat e tyre shqiptare dhe të paraqesin një dokument me të cilin të tregohet lidhja familjare e prindërve me të miturin, d.m.th një certifikatë familjare.

Në rast se i mituri do të udhëtojë në atdhe së bashku me prindërit pa pasur akoma pasaportën shqiptare, ai duhet të jetë jo vetëm i shënuar në lejen e qëndrimit të prindërve por duhet edhe të pajiset me Leje Kalimi të lëshuar nga zyrat konsullore (për ta kërkuar, fëmija duhet të paraqitet me të dy prindërit apo me njërin të pajisur me autorizim të posaçëm të prindit që mungon, të tregohen pasaportat e të dy prinndërve dhe dy foto të të miturit). Leja e Kalimit vlen vetëm për të hyrë në territorin shqiptar. Për t’u rikthyer në Itali, fëmija duhet të pajiset me pasaportë shqiptare.

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Da Eataly a Eat Alì, l’idea geniale del negoziante immigrato

Carta di soggiorno e test d’italiano. Qual è la procedura?