Ustai i traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut, ndër klarinetistët më të mëdhenj shqiptarë, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare
Mijëra përmetarë, por edhe të ardhur nga rrethet e ndryshme të qarkut të Gjirokastrës, kanë përcjellë sot për në banesën e fundit klarinetistin Laver Bariu, i cili ndërroi jetë në moshën 85 vjeçare një ditë më parë.
“U fik jeta e Ustait më të madh të kohës sonë dhe një prej klarinestistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, kështu është shprehur sot kompozitori Aleksandër Peçi.
Mjeshtri i klarinetës shqiptare, Laver Bariu, lindi në qytetin e Korçës më 2 maj 1929 dhe u rrit duke mësuar klarinetën në qytetin e Përmetit. Ende pa mbushur 10 vjeç, ushtrohet me llautën e të atit, Bariut. Fare i ri mësoi instrumentin në mënyrë autodidakte. Për herë të parë doli në skenë me gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. I vendosur për të mos e braktisur deri në fundin e jetës Përmetin, Laveri qëndroi në këtë qytet me klarinetën dhe kujtimet që e lidhin me të.
Ai mund të cilësohet si i fundit prej Ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1990. Kulmin e tij artistik Laveri Bariu e pati me këngëtarin e pavdekshëm, Mentor Xhemali. Në vitin 1977, të dy bashkë interpretojnë dhe regjistrojnë të gjitha materialet muzikore të filmit “Gjeneral gramafoni”, me regji të Viktor Gjikës.
Bariu është nderuar me shumë çmime. Në mars të 2001, Presidenti i Republikës e dekoron me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Në vitin 2001, Këshilli Bashkiak i qytetit të Përmetit, Usta Laverin e shpall “Qytetar nderi”.