Pas gjashtë ditëve në koma, ndërron jetë baristi që u rrah pak ditë më parë nga 18 vjeçari Nicholas Melis. Ky i fundit shkruante në faqen e tij facebook “Ta hajë dreqi, futem në telashe për njerëz m… Edhe më të fortë të ta kisha dhënë shqelmin”, ndërsa nga faqet e gazetës kërkonte ndjesë
Romë, 28 janar 2013 – Pas gjashtë ditëve në koma në spitalin Brotzu të Cagliarit, ka ndërruar jetë 45-vjeçari Artan Meta. Jetonte në Villasor të provincës së Cagliarit, dhe punonte si barist në barin Mondial të të njëjtit qytet ku u godit me shqelm në fytyrë nga Nicholas Melis, 18 vjeç.
As një javë më parë, ndërsa ishte duke punuar, Meta kishte parë 18-vjeçarin që godiste distributorin e cigareve dhe i ishte afruar ta qortonte. Melis, i nxehur me distributorin që nuk i jepte as cigaret e as paratë, i kish nxjerrë inatin baristit duke e goditur fort në fytyrë.
Artan Meta u çua menjëherë në spitalin Brotzu të Cagliarit. Aty e operuan për t’i reduktuar hematomën e madhe që i ishte krijuar në kokë por as ndërhyrja nuk i vlejti për t’i shpëtuar jetën: mbeti për gjashtë ditë në koma e sot ka ndërruar jetë.
Miqtë e të afërmit hapën edhe një profil Facebook “Artan siamo tutti con te. Tieni duro”,që në katër ditë ka mbledhur mbi 700 persona, shqiptarë e italianë. Një mënyrë për t’i shprehur Artanit mbështetjen e tyre e për të dënuar aktin e rëndë të 18 vjeçarit.
Ndërkaq, në faqet e të përditshmes Unione Sarda, Nicholas Melis dje kërkonte ndjesë për ngjarjen e shpresonte që Meta të dilte sa më parë nga spitali. Por ajo që shkruante po dje në profilin e tij facebook: “Ta hajë dreqi, futem në telashe për njerëz m…. Edhe më të fortë të ta kisha dhënë shqelmin…” vetëm kërkimit të faljes nuk i ngjan.