in

Në gjyq tetë vetë për vdekjen në punë të Nderim Çekrezit

27 vjeçari shqiptar humbi jetën pas një viti në koma për shkak të rënies nga vinçi. Gjykatësi për hetimet paraprake kërkon gjykimin e tetë personave për vrasje të rastësishme

Romë, 30 shtator 2011 – Gjyqtari për hetimet paraprake Alessandro Bianchi ka kërkuar gjykimin e tetë personave me akuzën e vrasjes së rastësishme. Sipas tij, këta persona, janë përgjegjësit për vdekjen në Como të punëtorit Nderim Çekrezit që ra nga një vinç në vitin 2009.

Gjatë fazës së çmontimit të vinçit pas punimeve për restaurimin e një ndërtese, i riu shqiptar qe rrëzuar nga një lartësi jo shumë e madhe, por duke pësuar dëmtime shumë të rënda. Në spitalin e Comos ai u operua menjëherë për një hemorragji të zgjeruar cerebrale dhe për një traumë në kokë. Megjithëse në atë kohë mjekët arritën t’i shpëtojnë jetën, 26 vjeçari mbeti në komë deri sa u shua një vit më pas. Ai la bashkëshorten dhe një fëmijë në moshë fare të njomë.

Tani gjykatësi ka vendosur të nxjerrë përpara drejtësisë, në një gjyq që do të hapet në prill të  vitit të ardhshëm,  përgjegjësit e firmës ku punonte viktima. Bëhet fjalë për Paolo Albonico, Felice Dal Pozzolo, Susanna Lindenblatt, Luca Cassina, Diego Giovannelli, Fabrizio Dal Pozzolo, Marco Giovannelli dhe Valentina Carollo. Nën hetim kishte përfunduar edhe Vincenzo Carollo i cili ama zgjodhi rrugën e pranimit të fajit dhe iu dha dënim i lehtësuar prej një viti e katër muajsh. Të akuzuarit e tjerë vazhdojnë të deklarojnë pafajësinë e tyre.

Sipas shqyrtimeve të bëra nga specialistët, shqiptari kishte rënë sepse vinçi ku ndodhej ishte rrëzuar përtokë. Hetuesit mbështesin tezën e neglizhencës, pakujdesisë dhe mosrespektimit të normave të sigurisë. Në mënyrë të veçantë është verifikuar vendosja e vinçit në vend të gabuar, ashtu siç duket se ka qenë e gabuar vendndodhja e peshave që duhet të ndihmonin në mbajtjen e ekuilibrit.

Fëmijët e ngujuar për t’i shpëtuar gjakmarrjes

Gjashtë muaj burgim sepse e rrahën policët…