Pa dashur të përgjithësoj, duke përjashtuar çfarëdolloj paragjykimi dhe thjesht si një qytetare në emigracion, u mundova të sjell me objektivitet për të diskutuar me lexuesin atë çka ofron bilanci i përballjes së dy mënyrave apo zgjedhjeve jetësore që dy familje shqiptare bëjnë në Itali.
Nga Adela Kolea
Në artikullin “Berishas und Bergers leben in verschiedenen Welten” tëPeter Steiger, publikuar në Berner Zeitung, i sjellë në shqip edhe në Shqiptariiitalise.com “Familjet Berisha dhe Berger jetojnë në dy botë të ndryshme”, flitet për një familje zvicerane dhe një tjetër nga Shqipëria: të dyja banojnë dhe punojnë në të njëjtin vend, por jetojnë në mënyra krejt të ndryshme. E lexova me kënaqësi dhe prej këtu mora shkas të hedh në fletën elektronike një refleksion të shkurtër timin, kësaj radhe duke vënë përballë mënyrën e jetesës jo më të një familjeje shqiptare e të një italianeje, meqë ne jetojmë në Itali, por atë të dy familjeve shqiptare në emigracion.
Unë nuk jam sociologe, por duke përjashtuar çfarëdolloj paragjykimi dhe thjesht si një qytetare shqiptare në emigracion, u mundova të sjell me objektivitet atë çka ofron jeta jonë e përditshme nga bilanci i përballjes së dy mënyrave apo zgjedhjeve jetësore të dy familjeve shqiptare, përbërë mesatarisht prej katër personash: burrë, grua e dy fëmijë, të marra në shqyrtim për të diskutuar me ju.
Po zgjedh krejt rastësisht dy mbiemra e për këtë do të kërkoja paraprakisht mirëkuptim për çdo rastësi të mundshme: Bakiu dhe Haxhiu.
Familja Bakiu, nëpërmjet kredisë bankare, me shumë mund e sakrifica ka blerë shtëpinë në qytetin italian ku tashmë jeton prej vitesh, të cilën nëpërmjet të ardhurave nga rrogat e çiftit, po e shlyejnë nga pak në vite. Ndonëse këto vite, për kredinë e marrë nga banka mesatarisht çerek shekullore, përbëjnë një jetë të tërë.
Në Shqipëri ata nuk kanë investime, prona apo shtëpi, pasi si çift i ri e filluan jetesën në emigracion e jo të gjithë emigrantëve iu dha mundësia që në vendlindje të blejnë apo ndërtojnë shtëpi, pikërisht në koherencë edhe me atë çka kanë zgjedhur për integrimin e jetesën e tyre në vendin e huaj, ose më mirë, për shkak të kostos së lartë për shlyejen e kredisë e mirëmbajtjen e shtëpinë e re në vendin e huaj që i ka ftuar u ikën një pjesë e mirë e të ardhurave të tyre mujore. Pa folur pastaj për shpenzimet e tjera që një familjeje i nevojiten për të jetuar, për fëmijët e për çdo pjesëtar të saj.
Kjo gjë sjell dhe diçka tjetër: ISEE (treguesi i gjendjes ekonomike ekuivalente) i tyre figuron i lartë, sepse në të nuk përfshihet ajo çka ata shpenzojnë për të paguar kredinë bankare të shtëpisë, ngaqë banesa u rezulton si pronë private e tyre e jo me qira, pavarësisht se ajo mbetet në varësi të bankës deri në çastin përfundimtar të shlyerjes totale të kredisë.
Me tregues ISEE të lartë – ndonëse kontradiktore – kjo familje nuk mundet të përfitojë asnjë zbritje apo ndihmesë nga shteti në aspekte të tjera: në lidhje me pagesat për mensat e shkollave të fëmijëve, për koston e librave të tyre, bursa studimi, për kontributet apo sigurimet shkollore që duhen paguar për fëmijët, për pagesat e kampeve të pushimit ditore verore për të miturit, për zbritje në çmimin e abonimit të “scuola-bus”, autobusit që trasporton fëmijët nëpër shkolla, për veprimtari sportive shkollore dhe jashtëshkollore të fëmijëve, e të tjera si këto.
Familja Haxhiu ka zgjedhur një mënyrë tjetër jetese në Itali: ajo as që e ka çuar ndër mend që këtu të investojë në blerjen e një shtëpie, përkundrazi, i ka bërë llogaritë ndryshe: mundësisht gruaja, duke punuar pa rregulla, “në të zezë”, nuk rezulton se ka të ardhura (shpesh këtu bëhet fjalë për zgjedhje si koncept jetese, pa u justifikuar domosdoshmerisht me krizën aktuale e me vështirësinë e të gjeturit punë).
Në familje pra, rezultojne vetëm të ardhurat e burrit me rrogën e tij. Familja e përbërë kryesisht nga katër persona, d.m.th përveç çiftit, edhe nga dy fëmijët, figuron me të ardhura të pamjaftueshme për të përmbushur disa parametra që përcaktojnë një jetesë dinjitoze, kushte këto që automatikisht përmbushen për t’i mundësuar kësaj familjeje, në kuadrin e mirëqënies sociale, një sërë mundësish apo ndihmash financiare nga shteti italian. Mund t’i numërojmë:
Si pikënisje, ISEE ( treguesi i gjendjes ekonomike ekuivalente) për këtë familje figuron i ulët, duke llogaritur vetëm një rrogë si burim të ardhurash nga i punësuari pranë një firme, siç është rroga e kryefamiljarit, e cila duhet të mbulojë qiranë e shtëpisë për t’u paguar – këta pra jetojnë në shtëpi me qera e jo të blerë – e të gjitha shpenzimet e tjera ndaj edhe i ofrohet mbështetje nga shteti në disa forma:
– mundësi tejet e rëndësishme për të përfituar një apartament nga ato të ndërtimeve popullore, me një qera shumë të thjeshtuar e të lehtësuar për nga kosto, “shtëpi komune”;
– përgjysmim të shifrave që një familje tjetër duhet të paguajë për: librat e fëmijëve, mencat, veprimtari sportive, abonime autobusi, shërbime mjekësore etj., si të gjitha ato opsione që përmenda pak më sipër, në rastin e kundërt të familjes tjetër.
Kjo mënyrë jetese, duke paguar një qira mjaft të ulët për shtëpinë e jo vetëm, duke pasur përgjegjësi krejt të kufizuar edhe në shpenzimet në mirëmbajtjen e apartamentit, shpenzime në të cilat për çdo arsye, kontributi i Komunës së banimit është i ndarë përgjysmë me banuesin me qira, d.m.th, nuk rëndon tërësisht në kurrizin e atij që është me qira, përkundrazi, shumë punime të përcaktuara mirëmbajtjeje të apartamentit apo godinës së pallatit në tërësi, nuk kërkojnë absolutisht kontributin ekonomik të qiraxhiut.
Ndodh kreitësisht e kundërta në rastin e emigrantit apo qytetarit që po shlyen kredinë për shtëpinë si pronë private: shtëpia që blihet edhe duhet të mirëmbahet me shpenzimet e pronarit, që duhet të përgjigjet për çdo element apo dukuri mirëmbajtjeje në lidhje me të e që shpesh ndodh, duhet të fillojë të ndërmarrë edhe ndonjë kredi tjetër për të përballuar shpenzimet e mëdha për punime në pallat të tipit: lyerje apo riparim fasade te jashtme, rregullim ballkonesh, ashensori apo të mjedisit të përbashkët, etj.
Duke përfituar nga shpenzimet e ulëta dhe të favorshme në shtëpinë e banimit në Itali, familja Haxhiu, mendon se mund të bëjë një zgjedhje tjetër të goditur: atë që të blejë një apartament ose të ndërtojë banesë në vendlindje. Ndonëse kjo gjë, teorikisht duhet të jetë në kundërshtim me parametrat për përfitimin e shtëpisë së Komunës në Itali, ku duhet të pohosh se në vendlindje nuk ke pronësi, por kuptohet, derisa të arrijë të verifikohet, kush mund të abuzojë, e bën.
Këtë zgjedhje, familja Bakiu ndoshta, jo se nuk do të kishte dëshirë ta aplikonte, por per faktin se ekonomia e tyre familjare është e rënduar nga pagesat për kredinë e shtëpisë në Itali e për çdo pagesë të lartë për nevojat e të gjithë pjesëtarëve, nuk mundet ta arrijë.
– Taksat
Kuptohet që të dyja familjet, në proporcion i paguajnë në Itali, por më tepër e penalizuar, në mënyrë paradoksale, është familja Bakiu, e cilaka një marrëdhënie akoma më të drejtpërdrejtë me shtetin e këtushëm, për faktin e thjeshtë se këtu ka kontribuuar, investuar e blerë shtëpi duk mos dërguar apo investuar në shtetin e lindjes të ardhurat.
– Ndihma për të moshuarit në bashkim familjar
Familja Haxhiu mund të aplikojë e përfitojë sigurisht akoma dhe më lehtësisht edhe për ndihmën në këtë aspekt, gjithnjë duke rezultuar me të ardhura të ulëta e tashmë e favorizuar paraprakisht edhe me shtëpi Komune.
Madje ndonjë familje Haxhiu mendon mirë edhe të sjellë vetëm formalisht prindërit në Itali me bashkim familjar dhe kur ata të plotësojnë kushtet, të kërkojnë pensionin social. E kështu, prindërit vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri e këtu vijnë herë pas here për të vizituar fëmijët e nipërit, ndërsa i biri tërheq për ta pensionin çdo muaj.
Rastet e kronikës së viteve të fundit ka treguar se nuk janë të pakta rastet kur Guardia di Finanza ka paditur shqiptarë që marrin padrejtësisht këtë ndihmë ekonomike që shteti italian u siguron të moshuarve rezidentë në Itali pas moshës 65-vjeçare.
– Pushimet verore
Përtej zgjedhjes apo dëshirës individuale, zakonisht ndodh që familja Haxhiu zgjedh që ato t’i kalojë në vendlindje, jo vetëm duke dhënë kontributin e saj në turizmin shqiptar, por edhe sepse përfiton nga rasti i pushimeve për të kontrolluar edhe mbarëvajtjen e shtëpisë apo të pronës së blerë në Shqipëri. Madje edhe përfitimet që eventualisht ai investim u sjell, duke përfituar ekonomikisht në rastin kur shtëpinë atje e japin me qira.
Shpenzime si këto të udhëtimeve jashtë Italise p.sh, ajo familje mund t’ia lejojë vetes, me të gjitha favoret apo lehtësirat që ka nga shteti italian dhe njëkohësisht nga ato që përfiton nga prona në Shqipëri.
Fundja, ne e kemi një shprehje popullore që thotë: “Të hash me dy lugë”.
Familja Bakiu, zakonishtjo. Ajo, me një shpenzim më modest, preferon t’i kalojë pushimet brenda Italisë, për të mos pasur udhëtime të gjata e shpenzime akoma dhe më të mëdha për të përballur, për shkakun se ajo ka pagesa shumë më të larta gjatë vitit se familja tjetër shqiptare. Kontribuon njëkohësisht në këtë mënyrë, edhe në turizmin italian.
Edhe për faktin se në Shqipëri, duke qenë se nuk ia kishte dalë të investonte e të blente shtëpi, është e detyruar që ato ditë, ose të jetojë në shtëpinë e prindërve ose të përballojë çmimet e qirave të mjediseve të banimit.
Unë nuk dëshiroj të futem nëpër shtigje që vënë në diskutim dinjitetin e personave, të çfarëdo shtetësie qofshin ata, aty ku kthehet në “pronar” identiteti vetjak, por ndieva të përmend edhe një fakt tjetër.
Një fqinjë italiane më pati thënë në konfidencë dikur: “ Ajo familje shqiptare na dhimbsej shumë. Jetonin aq keq sa për të të ardhur mëshirë: fëmijët të paveshur mirë; e jo vetem kaq, na thonin që nuk ia dilnin dot as t’u blenin librat e shkollës, as fletore e lapsa, prandaj unë e im shoq, bashkë me ndihmën e disa miqve tanë italianë, i ndihmuan dhe u mbuluam shpenzimet për fëmijët për vitet e shkollës tetevjeçare.
Por, befasia na erdhi kur pas pak kohësh mësuam se ata ndërkohë, në fshatin e lindjes kishin blerë tokë e kishin ndërtuar stalla e merreshin me veprimtari bujqësore e blegtorale. Atje larg në fshatin shqiptar”.
Nuk mund të kthehet sigurisht në një rast përgjithësues apo klasifikues si stereotip ky, sepse mashtruesit ekzistojne ngado e nuk kanë dallim kombesie. Por një qytetari apo emigranti të ndershëm e korrekt, prej kudo qoftë prejardhja e tij, këto sjellje i bëjnë disi përshtypje.
E nuk di as se deri në ç’pikë ndikojnë edhe origjina (ndonese të dyja familjet për të cilat fola janë shqiptare), mentaliteti, arsimimi apo edukata. Janë këto zgjedhje jetese që, dashje pa dashje, përbëjnë edhe zgjedhje statusesh shoqërore, në fund të fundit.
Ky ishte reflektimi im i thjeshtë si qytetare e nuk di sesa të tjerë e gjejnë veten në këto raste apo situata që përmenda e, si rrjedhim, nuk e di sesa “familje Bakiu” apo “familje Haxhiu” e ndiejnë në këto çaste leximi veten si të thirrur për të parë veten në pasqyrë.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)