in

Në kapërcyell të dy përvjetorëve

Nuk ndodh shpesh që të marrësh pjesë në dy veprimtari kaq të mëdha që përpuqen si dy gëzime në një ditë: konferenca mbi “Arbëreshët, heronjtë e dy botëve” edhe panairi i përvitshëm i librit, që të dyja në të njëjtën godinë.

Ishte një gjetje tepër e arrirë që së paku krijoi premisat që përvjetorët mund të festohen edhe duke sjellë në tryeza libra që flasin për këto ngjarje madhore të kombeve, por edhe gjininë letrare, të shumë e shumë shkrimtarëve të shquar botërorë, por edhe vendas. Një kombinim kohësh, epokash, vendesh. Historitë gjithmonë e kanë një pikëlidhje me gjitonët, lidhje që nuk mund të harrohen kurrë prej historive përkatëse. Pikërisht për këto lidhje të forta dhe të lashta, unë do të propozoja një monument apo përmendore që të jetë simboli më i qartë i miqësisë midis dy popujve dhe dy vendeve, pikërisht në zemër të Shqipërisë, në Tiranë.

Këtë vit kemi pasur rastin që të jemi dëshmitarë të festimeve të një përvjetori të rëndësishëm të vendit fqinj, Italisë, me rastin e 150 vjetorit të Bashkimit, festime që në shumë raste i nderuam me kumtesa që lidhen me historinë dhe kulturën e mikes sonë të përhershme. Është rasti i mirë që edhe ne, vitin e ardhshëm, të tregojmë të njëjtin seriozitet dhe përkushtim për njërin nga përvjetorët më të ndritur të Historisë sonë Kombëtare. Kemi kohë që të tregojmë shembullin më të mirë të një kombi që në përvjetorë të tillë është i gjithi i bashkuar, aty në qytetin e mrekullueshëm të Vlorës.

Nuk mund të festohet një ditë e tillë me inatet e politikës së ndarjes dhe përçarjes. Idetë për një monument të dytë të Pavarësisë sonë janë tepër të kamufluara, synimi është i largët, uroj ta kem gabim, që një pjesë e politikës, “e rrëzuar” poshtë  nga përpjekjet e saj për ta ndarë vendin me dy qytete me dy flamurë, të mos shkojë në Vlorë, por t’i bëjë karshillëk asaj, pikërisht në ditën kur Vlora shkroi Historinë (për inat të sime vjehrre…).

Konferenca e organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë nuk kishte vetëm njërën anë, njërin krah të fluturimit tonë europian, atë të evidentimit të Kontributit të madh të arbëreshëve në Bashkimin e vendit, por ishte dhe ana tjetër, krahu i dytë, në unison me 100 vjetorin e Rilindjes së Shqipërisë. I ngjan flamurit tonë me dy koka dhe Ambasada e realizoi fort mirë, duke na bërë pjesë të saj. Miket e mira nuk e ndajnë asnjëherë miken e zemrës në ditë të bardha dhe të zeza. Në ceremoninë e rastit, ambasadori D’Elia i dhuroi Pralamentit shqiptar librat që Senati Italian kishte dërguar me këtë rast, në kujtim të Paolo Petës, funksionarit arbëresh të tij. Më pas në kumtesat e shumta të miqve italianë ose më saktë arbëresho-italianë dhe shqiptarë, u vu në pah kontributi i arbëreshëve, i Kolegjit të Shën Adrianit dhe i shumë patriotëve të tjerë, në Bashkimin e vendit, si dhe në veçanti ai i Paskuale Skurës, Terenc Toçit, si dy misionarë midis dy brigjeve. Hijeshinë ia shtoi më tej sofra arbëreshe që kishte sjellë produktet tipike në tryezën e madhe të unitetit midis popujve para fateve të përbashkëta.

Pas konferencës kishe kohë edhe t’i hidhje një sy apo të ndaleshe e të blije libra nga tendat që e kishin mbushur plot hollin e Pallatit të Kongreseve, edhe pse shpesh në panaire të tilla, shumicës së popullsisë i duhet të mendohet mirë para se të nxjerrë paratë nga xhepi që të blejë librat e botuar. Pritja për këtë panair kishte ngjallur shumë kërshëri tek lexuesit, pasi edhe në ekranet dhe reklamat, po shfaqeshin idetë dhe mendimet e para të disa librave të shumëpritur. A e përmbushën atë kërshëri librat e botuar dhe të ekspozuar, këtë po ia lëmë kohës që ta gjykojë, pasi do të ketë edhe reagime të tjera mbi cilësinë dhe përmbajtjen e tyre. Por duhet theksuar se vizitorët ishin të shumtë dhe pati edhe një paraqitje dinjitoze të shumë shtëpive botuese. Tash më të konfirmuarat janë lider të botimeve, por problem kryesor mbetet çmimi me të cilat librat i ofrohen publikut.

Arjan Th. Kallço – Tiranë, nëntor 2011

Azilkërkuesit vënë në rrezik liberalizimin e vizave

Sbarkon nga trageti me 25 kg marijuanë. Arrestohet 22-vjeçari