in

Nënë Tereza është Shenjte

Ati i Shenjtë: “Mendoj se ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e dhembshur dhe e frytshme, sa, vetvetiu do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza!”

“Për nderimin e së Shenjtnueshmes Trini, për lartimin e fesë katolike dhe thellimin e jetës së krishterë, me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal  e Tonin, pasi reflektuam gjatë, kërkuam shumë herë ndihmën hyjnore e dëgjuam mendimin e shumë prej vëllezërve tanë në Ipeshkvni, e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte të Lumen Terezë të Kalkutës dhe e shkruajmë në Librin e Shenjtorëve, duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale me devocion ndërmjet shenjtorëve.
Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!”

Ishin fjalët e Papa Françeskut që shenjtëruan Nënë Terezën, murgeshën e të vobektëve, që u pritën me duartrokitje nga sheshi Shën Pjetër i mbushur plot. Mbi 120 mijë vetë, mes të cilëve të paktën 15 delegacione qeveritare, u mblodhën dje në Romë për një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij viti Jubilar të Mëshirës. Në sheshin e Shën Pjetrit ishin të pranishëm edhe presidenti e kryeministri i Shqipërisë, presidenti i Kosovës dhe ai i Maqedonisë.

“Sot po ia dorëzoj këtë figurë simbolike gruaje e rregulltareje mbarë botës së vullnetariatit; le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë! – tha mes të tjerash Papa. – Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”. Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë. Do të hapim, kështu, horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri!”

“Mendoj se ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e dhembshur dhe e frytshme, sa, vetvetiu do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza!” – shtoi Ati i Shenjtë.

Nënë Tereza u shpall Shenjte 19 vjet pas vdekjes dhe 17 vjet nga çasti kur Papa Gjon Pali II nisi kauzën e kanonizimit të saj. Është një nga protagonistet më të njohura të historisë së shekullit XX që gjatë gjithë jetës së saj, siç u shpreh Papa, “qe bujare dhe shpërndarëse e mëshirës hyjnore, u angazhua në mbrojtje të jetës, e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre”.

 

 

 

Shenjtërimi i Nënë Terezës, në Shën Pjetër priten mbi 100 mijë besimtarë

Karta e blerjeve për të varfërit, nis paraqitja e kërkesave