in

Neritan Ceka, ambasadori i ardhshëm i Shqipërisë në Itali

Është kryetari i Partisë Aleanca Demokratike  dhe këshilltar i kryeministrit Berisha për Kulturën ai që do të marrë postin e ambasadorit në Romë në vend të ambasadorit të karrierës Llesh Kola. Edhe Ceka deklaron si prioritet të vetin në detyrën e re “emigracionin shqiptar në Itali që ka nevojë për mbështetje dhe hapje të një qendre kulturore në Romë”.

Më 12 dhjetor, Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme ka miratuar me konsensus emërimin e Neritan Cekës, ish-kreut të PAD-së, si ambasador i Shqipërisë në Itali dhe Dritan Tolës në Francë. Demokratët dhe socialistët miratuan propozimin e ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, që do t’i përcillet për dekretim Presidentit të Republikës.

Neritan Ceka, 71 vjeç, arkeolog e profesor, është një nga themeluesit e Partisë Demokratike (nga e cila u largua më pas) dhe nga viti 1991 deputet në Kuvend për disa legjislatura. Në vitin 2009 u kandidua për President i Shqipërisë. Sot udhëheq partinë Aleanca Demokratike dhe është këshilltar i kryeministrit për Kulturën.

Ceka zëvendëson në këtë post ambasadorin e karrierës, Llesh Kola, që ka marrë mandatin në vitin 2006. Sipas ligjit mbi shërbimin e Jashtëm “Diplomatët emërohen në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, të akredituara në shtete të tjera, të paktën dy vjet pasi kanë marrë gradën e parë diplomatike (atashe). Ata qëndrojnë me shërbim në të njëjtën përfaqësi diplomatike, si rregull, për një periudhë 4-vjeçare”.

Kandidatura e Neritan Cekës për ambasador në Romë mësohet se u propozua nga ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti, ndërkohë që gjatë diskutimeve një ditë më parë në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme, kandidatura e tij kaloi edhe me konsensusin e deputetëve të opozitës. Edhe pse akuzuan krerët e Ministrisë së Jashtme, deputetët e PS-së mbështetën propozimin për emërimin e z. Ceka si ambasador të Shqipërisë në Itali. Deputetët e Partisë Socialiste si Arta Dade, Namik Dokle, Skënder Minxhozi vlerësuan kontributin e Cekës në politikë gjatë 15 viteve jetë aktive në politikën shqiptare si dhe kontributin e tij në kulturë sidomos në fushën e arkeologjisë. Përfaqësuesit e majtë në komisionin e Jashtëm deklaruan votën por Neritan Cekës, por në tërësi ata kundërshtuan procesin e prezantimit dhe të përfaqësimit nga Ministria e Jashtme, duke kërkuar që për një figurë të tillë të ishte prezent vetë ministri Panariti. Gjithashtu, vlerësime për kandidaturën e Cekës si ambasador i Shqipërisë në Romë, shprehën edhe deputeti Kastriot Islami dhe Gazmend Oketa. “Kam vlerësimin maksimal për Neritan Cekën, ai i ka të gjitha dimensionet për ta kryer këtë funksion. Do ta mbështesja kandidaturën e tij në këtë mision”, – tha deputeti Islami.

Prioritet: “Emigracioni shqiptar në Itali që ka nevojë për mbështetje dhe hapja e një qendre kulturore në Romë”.

Kandidatura e tij në komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme mori edhe vlerësimin e deputetëve të opozitës. Gjatë fjalës së tij, në komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme, Ceka deklaroi si prioritete të tij në marrjen e këtij posti, bashkëpunimin e ngushtë parlamentar mes dy vendeve, atë ekonomik e kulturor si dhe mbështetjen për emigrantët dhe studentët që ndodhen në Itali dhe hapjen e një instituti të kulturës, histori që shqiptarët në Itali dëgjojnë prej vitesh. “Objektivi im do të jetë vazhdimi i punës për zhvillimin e dialogut politik qoftë në fushën e ekzekutivit dhe të mundësive për vizita të nivelit të lartë, si të presidentit që nuk është zhvilluar akoma dhe në diplomacinë parlamentar që kam përvojën time personale. Aspekti ekonomik do të zërë një vend të veçantë. Mbështetje për projektin TAB aq sa i përket ambasadës. Gjithashtu edhe për infrastrukturën dhe hapjen e marrëveshjeve të tjera në fushën kulturore, arsimit. Në vëmendje do të jetë emigracioni ynë që ka nevojë për mbështetje dhe hapje të një qendre kulturore në Romë. Arbëreshët që gjatë festimeve të 100 vjetorit, me ringjalljen e ndjenjës kombëtare, do të jetë prioritet në punën time”, – tha Neritan Ceka.

Kam kartën e qëndrimit të një shteti tjetër të BE-së. A mund të vij të punoj në Itali?

Në ndjekje të Europës