in

Nexhmije Hoxha, tallja që na vjen nga mosndëshkimi

Ashtu si para disa vitesh, kur dha intervistën e parë pas shumë kohësh heshtje, njeriu që ka qenë më së paku në dijeni thuajse të të gjitha krimeve dhe burgosjeve të komunizmit, del e na tregon përralla lidhur me madhështinë e luftës, për madhështinë e drejtimit të pushtetit, a thua se nuk janë mijëra të internuar, të pushkatuar pa gjyq apo me palogjyqe, të degdisur pa nam e nishan, ku ajo, sidomos pas lajthitjes shëndetësore të Enver Hoxhës në vitin 1973, rezulton të ketë qenë ideatorja e aprovuesja e shumë prej krimeve çnjerëzore në Shqipëri
Nga Agim BAÇI

Historia e një orgazme mendore me intervistimin e vejushës së ish diktatorit, Nexhmijes, vijoi sërish. Si disa vite më parë, kur dha intervistën e parë pas shumë kohësh heshtje, e më pas në disa intervista apo prononcime publike, njeriu që ka qenë më së paku në dijeni thuajse të të gjitha krimeve dhe burgosjeve të komunizmit, del e na tregon përralla lidhur me madhështinë e luftës, për madhështinë e drejtimit të pushtetit, a thua se nuk janë mijëra të internuar, të pushkatuar pa gjyq apo me palogjyqe, të degdisur pa nam e nishan, ku ajo, sidomos pas lajthitjes shëndetësore të ish-diktatorit në vitin 1973, rezulton të ketë qenë ideatorja e aprovuesja e shumë prej krimeve çnjerëzore në Shqipëri. Dhe tani, edhe për meritën e naivitetit apo nostalgjisë së dikujt, ajo erdhi mbrëmjen e 1 shtatorit përballë shqiptarëve për t’i rifyer (Këtu gjeni intervistën e plotë të Nexhmije Hoxhës).

Nexhmije Hoxha e ndonjë tjetër nga ish-nomenklatura, që është ende gjallë, duhet të dëshmojë vetëm për dijenitë e tyre për krimet, të ndihmojë ndonjë familje për të gjetur eshtrat e të afërmve që nuk janë gjetur ende, e sidomos për t’i kërkuar ndjesë shoqërisë shqiptare për përçudnimin që i kanë bërë për vite e vite me radhë, vetëm e vetëm që t’i kalonin netët këmbë për mbi këmbë, edhe pse me duart të zhytur në krim e në ligësi.

Asnjë justifikim nuk mund të ketë asnjë moderator, nëse gjatë intervistës nuk këmbëngul vetëm në nxjerrjen e dëshmive për krimet që ata kanë bërë apo kanë dijeni. Kjo është e vetmja gjë, që mund të vlejë në një dalje publike për llojet e Nexhmijeve. Aq më shumë kur ende mijëra ish-të përndjekur vijojnë të sorollaten pa të ardhura, pa mundur të rimbledhin familjet e tyre, të cilat ai sistem i shpërndau më keq sesa mund të shpërndajë një granatë dheun.

Por ajo është aty, e qetë, sepse edhe politika ka vijuar të përdorë ish-punonjësit e Sigurimit, ashtu siç i përdorte ajo dikur. Ajo do të ketë kurajën të flasë për aq kohë sa shoqëria nuk i ka ndëshkuar krimet me një ligj, që hap dosjet e që lexon publikisht krimet e tyre. Ajo do të dalë për aq kohë sa Kuvendi nuk ia hoqi dekoratat e ku me letra Enver Hoxha vijon të jetë ende “Hero i Popullit”, hero i atij populli që ai e përdhunoi përmes duartrokitjeve të zonjës që tashmë flet, a thua se po flet për një popull tjetër, që nuk e kemi njohur.

Shqiptarët nuk kanë asnjë nevojë të marrin mend e ide nga ajo. Ne duhet të kemi prej saj dhe llojit të saj vetëm dëshmi për krimet në diktaturë. Kaq! Ajo për asgjë tjetër s’mund të vlejë. E nëse ndonjë gazetar nuk mundet më së paku të këmbëngulë pa fund ta pyesë për krimet që ka bërë apo që ka dijeni, atëherë më mirë le të nxjerrë një emision në formë errësire, në heshtje, që të korrespondojë me mungesën e dëshmive, me mungesën e ligjit që hap dosjet, me mungesën e heqjes së dekoratave, me mungesën e rehabilitimit të atyre qindra e qindra familjeve që, për shkak të internimeve, burgosjeve nuk arritën dot më kurrë të rinisin jetët e tyre.

Sado lexues të ketë Nexhmija, sado të ecë tregu me fjalët e saj, sado maniakë të kohës së komunizmit të jenë gjallë, nuk arrijnë dot ta justifikojnë praninë e saj në të gjitha mediat me asgjënë e saj publike për krimet e me çmenduritë e saj mbi heroizmat e saj dhe të shokëve të saj, që e përdhunuan të shkuarën dhe të ardhmen e shqiptarëve. E, nëse ajo s’ka kurajën njerëzore për të dhënë ndonjë dëshmi, ajo duhet më së paku të heshtë, deri sa Zoti të vendosë ta kalojë në botën tjetër, ku besoj se nuk ka ndonjë dyshim që të mendojë se do të jetë me lule.

Gazeta Panorama

Nexhmije Hoxha e pranon: Gjatë luftës janë bërë gabime – Intervista

 

Concorsi pubblici. Cassazione: “Non è discriminatorio escludere gli stranieri”

Papa Françesku do të gjejë në Shqipëri një katolicizëm të rilindur