Sipas Confesercenti, tregtarët nuk kanë pritshmëri të lartë për periudhën e uljeve, 80% e tyre janë skeptikë. Edhe për Federconsumatori-n, periudha e uljeve nuk do të shkojë mirë: vetëm 40% e familjeve italiane do të mund të blejnë diçka. Për konsumatorët janë të vlefshme këshillat e përhershme: t’u drejtohen pikë-shitjeve të besuara dhe të kontrollojnë mirë mallin dhe çmimet.
Romë 28 qershor 2010 – Më në fund afrohet periudha e uljeve të çmimeve, me tregtarët që deri tani kanë parë një rënie të mëtejshme të shitjeve e që kanë pak besim se do të mund të mëkëmben me sezonin e uljeve, dhe me konsumatorët që të dërrmuar nga kriza përpiqen të shtrëngojnë rripat e vazhdojnë të shpresojnë në ndonjë pazar të leverdishëm. Kjo është atmosfera që shoqëron vigjiljen e sezonit të uljeve të çmimeve, që nis nga 1 korriku në Torino për të përfshirë të gjithë Italinë deri më 17 korrik.
Sezoni që po nis nuk mund të mos jetë “i akullt”, parashikon observatori kombëtar i Federconsumatori-t sipas të cilit, uljet verore të çmimeve do të shkojnë më keq se ato të një viti më parë: duke pësuar një tkurrje prej 15%. Gjithnjë sipas federatës së konsumatorëve, do të vazhdojë prirja negative e vitit të shkuar: vetëm 40% e familjeve do të mund të përfitojë nga sezoni i uljeve të çmimeve, duke shpenzuar rreth 1 milion e 400 mijë euro (mesatarisht 146 euro për familje), që ka për shkak “vendimet e qeverisë që nuk ndihmojnë në rritjen e konsumit, që sipas nesh, përbën rrugën kryesore për të dalë nga kriza”.
Sipas një hulumtimi të Fismo-Confesercenti, tregtarët presin sezonin e uljeve të çmimeve pa entuziazëm dhe “me pritshmëri të pakta”. Nëse një vit më parë mbi 50% e tyre shpresonte te sezoni i uljeve të çmimeve, këtë vit 80% nuk kanë besim, janë skeptikë dhe të pasigurt rreth rezultatit të këtij sezoni të uljeve, periudhë kjo, që vitet e shkuara kanë përbërë deri 26% të xhiros së dyqaneve të veshmbathjes dhe këpucëve.
Praktikisht sezoni i uljeve do të përfshijë mëse 150 mijë dyqan dhe Fismo (Federazione italiana settore moda)këshillon si çdo vit konsumatorët të pretendojnë cilësi, korrektësi, transparencë e mirësjellje, “t’u drejtohen dyqaneve të besuara, të kontrollojnë mallin dhe respektimin e uljeve të lajmëruara”.
Uljet e fund-sezonit nisin më 1 korrik në Torino, më 3 korrik në Romë, Milano, Bologna, Bari, Perugia, më 7 korrik në Firenze e Ancona, më 10 korrik në Palermo e me radhë deri më 17 korrik në Venezia, dhe zgjasin nga 6 javë deri në dy muaj.