in

Nga Durrësi në Pistoia i fshehur në kamion për t’i shpëtuar varfërisë. Odiseja e 13-vjeçarit

Pas dy ditëve udhëtim, i rraskapitur shkon e kërkon ndihmë në polici

Romë, 16 korrik 2013 – Nuk ka mbushur 14 vjeç, nuk i ka prindërit, jetonte në Durrës me dy motra e një vëlla që të gjithë pa punë. E për t’i shpëtuar urisë, kish vendosur të vinte në Itali. Për këtë arsye javën e shkuar ishte futur fshehurazi në një kamion që po imbarkohej në një traget për Itali: as nuk e di ku ka arritur, në Bari, Brindisi apo Ancona. Di vetëm që pas dy ditëve udhëtim, të mërkurën më 10 korrik u gjend në Pistoia. I lodhur e i uritur është sjellë rrugëve deri vonë e pak para mesnate, ka trokitur në të parën derë që i është dukur e udhës për të kërkuar ndihmë, në Polici.

Sipas medieve lokale është kjo pak a shumë historia që një trembëdhjetëvjeçar shqiptar ka arritur t’u tregojë agjentëve të kuesturës së Pistoias që i kanë hapur derën. Pasi i kanë ofruar diçka për të ngrënë e ujë, kanë thirrur një përkthyes për të kuptuar ç’thoshte e më pas kanë lajmëruar asistentët socialë që e kanë strehuar në një shtëpi-familje.

Ende nuk dihet ç’do të bëhet me të, por një gjë është mëse e sigurt: akoma fëmijë u detyrua të merrte rrugët për t’i shpëtuar urisë dhe varfërisë që vuante në Durrës.

Red. Shqiptari i Italisë

Fermo. Humb jetën në aksident rrugor 23-vjeçari Boriçi

Calderoli: “Chiedo scusa, ma non mi dimetto”