in

Ngjyra e erës, nga një breg i Mesdheut në tjetrin

Dokumentari “Ngjyra e erës” është një mozaik origjinal i kulturës mesdhetare, në sallat e kinemave nga 14 prilli

Violeta, fotogramë nga dokumentari
Romë, 4 prill 2011 – Nga 14 prilli do të shfaqet në sallat e kinemave “Il colore del vento”, me regji të Bruno Bigonit, film dokumentar që rrëfen një udhëtim në Mesdhe të frymëzuar nga albumi Creuza de Mä i Fabrizio de André.

Autori artikulon udhëtimin e tij në disa prej porteve emblematike që kanë ndryshuar fytyrën e Mesdheut. Duke ndeshur popuj e tradita të ndryshme, mes të shkuarës dhe të tashmes, filmi sjell në dritë histori të fshehura pas çdo porti ku ndalet anija, nga Barcelona në Tangjer, nga Bari në Dubrovnik nga Gjenova në Sousse të Tunizisë e deri në Lampedusa. Për të zbuluar që kudo ka një ndjeshmëri njerëzore sa e lashtë aq edhe çarmatuese, ndaj të cilës as tmerret e luftës nuk mund të bëjnë gjë. Gjatë udhëtimit telekamera fikson skena gjithnjë të ndryshme por edhe shumë të ngjashme, në fatin e tyre të përbashkët për të përjetuar detin si burim jete, ushqimi dhe shprese apo edhe si kurth vdekjeprurës. Duke parë çka ndodh sot në atë pjesë të Mesdheut që lidh Afrikën e Veriut me Italinë, dokumentari bëhet aktual por merr edhe një kuptim të ri.

Dhe historitë e migrantëve modernë, atyre që vënë në lojë jetën e tyre mbi karakatinat e detit, tregohen nga lampeduzanët por edhe nga Violeta, shqiptare që kujton udhëtimin e saj të shpresës në të largëtin 1991 drejt brigjeve të Puglias. Histori dhimbshurie por edhe mosbesimi, që regjisori i alternon pa vënë në piedestal pikëpamjen e tij (cilësi që bashkë me teknikën e lartë dhe muzikën e Mauro Paganit, e bëjnë filmin një xhevahir të vërtetë).

Një çift nga Lampedusa rrëfen çfarë do të thotë të zgjohesh në mes të natës dhe në derë të shtëpisë të kesh njëqind vetë të lagur deri në palcë, të sfilitur nga rruga, të trembur për vdekje dhe buzëtharë për një pikë ujë. Ndërsa një rritës plak lepujsh nuk do të ndajë me të tjerë varfërinë e vet. Dokumentari është një udhëtim i gjatë për të kuptuar që edhe në brigjet më të largëta të Mesdheut përjetohen të njëjtat frikëra dhe shpresa.

I prodhuar nga Minnie Ferrara & Associati srl në bashkëpunim me Lumière & Co, filmi është paraqitur me sukses në Festivalin e vjetshëm të Romës, në seksionin L-Altro Cinema – Extra, ndërsa tani do të shpërndahet në sallat kinematografike nga Teodora Film dhe Spazio Cinema.

Më 14 prill do të përurohet një turné i gjatë në kinematë e Italisë me një eveniment në kinemanë Alcazar në Romë (Via Merry del Val, 14, hyrja 6,00 euro). Në orën 21.00 filmi do të paraprihet nga një takim i regjisorit Bruno Bigoni me publikun.

Shiko trailer-in e dokumentarit

Mos kini frikë – Grand Hotel Albania

Një polic shpëton shqiptarin që donte të vetëvritej