Mbrëmjen e 26 dhjetori, nisi edicioni i 50-të i Festivalit të Këngës në RTSH me natën e parë të tij. Janë 28 këngë që do të konkurrojnë për çmimin e parë të festivalit e më pas për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian. Këngët përzgjidhen nga një juri e përbërë nga 7 personalitete të fushës së muzikës, por jo vetëm. Juria e këtij viti përbëhet nga Zhani Ciko, Zana Shuteriqi, Edmond Xhani, Aldo Shllaku, Ndriçim Xhepa, Redon Makashi dhe Robert Rakipllari. Në natën finale votimi i tyre do të jetë i drejtpërdrejtë, çka ua shton më tepër përgjegjësinë për zgjedhjet e tyre.
Gjatë natës së parë u ngjitën në skenë 14 këngët e para, prej të cilave 10 do të shkojnë në finalen e 29 dhjetorit. Ata janë Gerta Mahmutaj, Bashkim Alibali, Samanta Karavello, Endri dhe Stefi Prifti, Rona Nishliu, Rudina Delia, Marjeta Billo, Hercina Matmuja, Altin Goci, Elton Deda.
Këtë vit drejtimin e festivalit e ka marrë në dorë Martin Leka, regjinë Osman Mula, skenarin Pandi Laço e Edlira Birko, ndërsa prezantimin Hygerta Sako, Kreshnik Xhelilaj dhe Enkelejda Zeko.
Gjatë netëve nuk do të mungojnë të ftuarit e huaj, me të cilët do të ndahet gëzimi i një jubileu. Përveç që ky edicion përkon me 50-vjetorin e Festivalit të RTSH-së, çka do të thotë një udhëtim i gjatë në rrugën e këngës, ai do të mbahet mend edhe për kthimin në traditën e dikurshme, atë të interpretimit live, por kuptohet me një teknologji shumë më të avancuar se dikur.
Orkestrës së RTSH-së, e cila ka qenë gjithnjë live, i është shtuar edhe një bandë muzikore, nën drejtimin e Shpëtim Saraçit, që këtë vit është edhe drejtori artistik i festivalit.
Që nga këngëtari, tek baza orkestrale, tek harqet gjithçka do të zhvillohet drejtpërdrejt nga skena e Pallatit të Kongreseve dhe në ekranin e RTSH-së.
Si një edicion jubilar, Festivali i Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar do të mbahet këtë vit në 4 netë, 26, 27, 28 dhe 29 Dhjetor. Nata e parë dhe e dytë janë net konkurrimi të 28 këngëve pretendente, ndërsa nata e trete do të jete një retrospektivë me këngët më të mira të 50 edicioneve që do të risillen në skenën e tij.
Data 29 dhjetor do të shënojë finalen e madhe gjatë të cilës, këngët më të mira të këtij edicioni do të sfidojnë njëra tjetrën për çmimin e madh, i cili automatikisht i jep të drejtën e pjesëmarrjes ne Festivalin e Eurosong, që do të zhvillohet në Azerbajxhan.