in

Nis Ramazani. Agjërim dhe lutje edhe në Itali

Sot, më 18 qershor ka nisur muaji më i shenjtë për besimtarët myslimanë. Në Itali e mbajnë mbi 1,5 milionë, mes bësimtarëve pa një xhami dhe refugjatëve në kërkim të një vendi që t’i mirëpresë

Romë, 18 qershor 2015 – Agjërim, purifikim lutje. Ka nisur sot Ramazani, muaji më i shenjtë i kalendarit islamik, që celebrohet në mbarë botën.

Pikërisht gjatë këtij muaji, i nënti i kalendarit islamik, sipas myslimanëve, profeti Muhamet mori Kuranin nga kryengjëlli Gabriel. Mbajtja e muajit të agjërimit është një nga shtyllat e fesë myslimane, bashkë me pelegrinazhin në Mekë, lëmoshën, ushtrimin e fesë dhe lutjet e përditshme.

Ramazani nuk bie gjithnjë në të njëjtën periudhë të vitit, sepse ndjek kalendarin hënor. Ai është veçanërisht i vështirë kur bie në verë si këto vitet e fundit. Besimtarët nuk mund të fusin në gojë as ujë e as ushqim, nga agimi deri në perëndim. Përjashtime parashikohen vetëm për të sëmurët, fëmijët, gratë shtatzëna apo që japin gji dhe të moshuarit që do të vinin në rrezik shëndetin po ta respektonin.

Para se dielli të lindë lejohet të hahet një vakt i lehtë (syfyr) e më pas duhet pritur nata për të thyer agjërimin (me iftarin), kur hahet një vakt i bollshëm në atmosferë feste dhe i paraprirë nga një lutje e gjatë.

Gjatë këtij muaji, agjërimi duhet të shoqërohet edhe me “një sjellje të mirë” pa mendime e veprime të këqija, pa marrëdhënie seksuale dhe pa vese si ai i duhanit. Me pak fjalë gjatë kësaj periudhe kërkohet të pastrohet trupi e shpirti.

Xhamia e Romës, më e madhja në Evropë
Në botë mbajnë Ramazan rreth 1 miliardë e gjysmë besimtarë e natyrisht në vendet myslimane këto tridhjetë ditë janë shumë më të ndiera se në Itali, por edhe këtu Ramazani po merr gjithnjë e më shumë rëndësi. Sipas statistikave, në Itali ka 1 milion e 600 mijë myslimanë, thuajse të gjithë imigrantë e bijtë e tyre. E nëse në Romë shumica do të mblidhen në Xhaminë e Madhe, në Milano, edhe këtë vit, Ramazani do të gjejë myslimanët pa xhami duke i detyruar të luten në struktura të sajuara.

Me rastin e ardhjes sё muajit tё madhёrueshёm tё Ramazanit, – shkruan sot Bashkimi i Shqiptarëve Myslimanë në Itali, UAMI, në një komunikatë me të cilën kujton fillimin e muajit të Ramazanit – u përcjellim urimet mё tё sinqerta të gjithё besimtarёve myslimanё shqiptarё nё Itali dhe kudo nё botё. Qoftё ky njё muaj mёshire, falje dhe shpёtimi. Zoti pranoftё sakrificёn dhe mundёsoftё nё kёtё muaj tё begatё bashkimin, vёllazёrimin dhe dashurinё midis myslimanёve shqiptarё nё Itali dhe kudo nё botё”.

Gëzuar Ramazanin të gjithë myslimanëve! Edhe atyre që në Itali po agjërojnë e luten në qendrat e pritjes së refugjatëve, në tenda, në stacione. Edhe atyre që Ramazani po i gjen mes dallgëve…

Fermare la strage, subito! Sabato cento associazioni in piazza a Roma

E vdekur prej tetë muajsh, vazhdon “të marrë” pensionin social