Në shumë qytete ka nisur paraqitja e kërkesave. Fiton një vend kush mbledh më shumë pikë, që janë më të larta kur prindërit punojnë që të dy. Tarifat ndryshojnë në bazë të treguesit ekonomik ISEE
Romë, 28 mars 2013 – Në shumë komuna italiane kanë nisur tashmë regjistrimet për në çerdhe të fëmijëve për vitin shkollor 2013-2014.
Është ky një takim i përvitshëm me interes të veÇantë për nënat e baballarët emigrantë, dhe jo vetëm për arsye demografike. Konstatimit që çdo pesë të sapolindur në Itali, njëri e ka të paktën një prin të huaj, i duhet shtuar edhe fakti që kush emigron, vështirë se ka këtu një rrjet familjar të gjerë të cilit t’i besojë foshnjën ndërsa shkon në punë. Me pak fjalë: të huajt kanë shumë fëmijë e pak gjyshër.
Çdo komunë vendos në mënyrë të pavarur mënyrat dhe kalendarin e regjistrimeve. Thuajse gjithnjë, për pikë të barabarta (që rriten në përgjithësi me orarin e punës së prindërve, nëse ka apo jo vëllezër e motra, sëmundje apo kushte shtrëngese) dallimin e bën ISEE, treguesi mbi situatën ekonomike të familjes që mund të llogaritet falas nga Qendrat e autorizuara të asistencës fiskale, CAAF). Në bazë të treguesit ISEE përcaktohet edhe tarifa e regjistrimit.
Në Romë regjistrimet mbyllen më 12 prill, në Milano dita e fundit e vlefshme është 24 prilli, në Torino mund të merret shtruar sepse ka kohë deri më 30 prill, ndërsa në Napoli regjistrimet ende nuk kanë nisur.
Për të mësuar me saktësi afatet dhe procedurat e regjistrimit është mirë që prindërit të vizitojnë faqet internet apo t’u drejtohen zyrave të marrëdhënieve me publikun të komunës së rezidencës ose, kur ekzistojnë, të minibashkive.