Nga Armand SHKULLAKU
Vetëm një qytet si Prishtina mund të realizonte të pamundurën duke zgjedhur si kryetar të saj Shpend Ahmetin. Askush nuk do të vinte bast për të përpara 3 dhjetorit, për më tepër që lideri i LDK, Isa Mustafa kryesonte me rreth 13 mijë vota më shumë në raundin e parë. Por Prishtina bëri një përmbysje tronditëse. Një përmbysje që sot ka shumë shpjegime, interpretime e analiza, por që në thelb mbetet vepër e vetë qytetit. Me zgjedhjen e Shpend Ahmetit, prishtinasit hapën një rreze shprese për gjithë shoqërinë shqiptare se forcat e reja, individët që nuk janë produkt i sistemit politik në fuqi, që përfaqësojnë interesat e një brezi që nuk e gjen veten në realitetin politik shqiptar, mund t’ia dalin nëse besojnë fort në idetë dhe angazhimin e tyre.
Ndryshimi në Prishtinë ka shumë elementë brenda. Ai mund të shihet si zhgënjim nga keqqeverisja e qytetit, si ndëshkim ndaj arrogancës së votave të sigurta apo si nevojë për një frymë të re. Por mbi të gjitha ai është produkt i një mendësie civilizuese që Prishtina e ka tipar dallues në krahasim me të gjitha qytetet shqiptare, përfshi edhe Tiranën. Lëvizja Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti nuk janë një rastësi e bukur që papritur bënë një mrekulli. Ata arritën në krye të kryeqytetit sepse janë pjesë e frymës qytetare, urbane, që i shkon shumicës së banorëve të Prishtinës. Në këtë qytet kemi parë se si angazhohen shoqëria civile, të rinjtë, studentët, gazetarët për të ndikuar fuqishëm në zhvillimet politike. Se si krijohen lëvizje simpatike si Partia e Fortë që ridikulizojnë politikanët dhe vënë në lojë gjithë sistemin politik. Se si në rrjetet sociale e në media denoncohen hapur abuzimet me pushtetin, krimet dhe aferat korruptive. Kemi parë se si muzika dhe arti janë të angazhuara për të kontestuar gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Një shoqëri që nuk është aspak indiferente, që nuk pajtohet me fatin por kërkon ta ndryshojë atë, pavarësisht fuqisë së pushtetit. Këtë frymë në Prishtinë e ndesh kudo. Lëvizja Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti janë simbol i saj.
Prandaj dhe fitorja e tyre në Prishtinë nuk ishte një aksident. Vetëvendosje edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ku mori pjesë për herë të parë si parti politike, doli forca e dytë në Prishtinë pas LDK. Duke përfaqësuar këtë angazhim të shoqërisë për ndryshim, Vetëvendosje arriti të bëhet partia e vetme shqiptare që duke qenë jashtë sistemit, duke mos qenë pjesë e asnjë krahu politik, duke e goditur njëlloj klasën politike në Kosovë, të dalë fituese në një betejë të fortë si ajo e Prishtinës. Ata që kanë votuar për Albin Kurtin e Shpend Ahmetin, i kanë konsideruar ata si përfaqësues të frymës së re qytetare. Tek Albin Kurti kanë parë njeriun që u qëndron bindjeve të veta, që nuk i braktis idetë e tij edhe në momente tepër të vështira dhe që pavarësisht se hyri në parlament, nuk u bë pjesë e politikës bajate dhe interesave të vogla. Pra që është ndryshe nga ata që qeverisin Kosovën prej 14 vjetësh. Tek Shpend Ahmeti gjendet politikani modern që kontraston me profilin e politikanit të pasluftës. Me formim anglosakson, i gatshëm për t’u angazhuar në studio televizive e debate publike, për t’u përfshirë në çdo çështje që shqetëson shoqërinë. Themelues i një instituti të pavarur, më pas i një partie politike FER që nuk pati jetëgjatësi. Bashkëpronar i një lokali simpatik në lagjen Pejton ku bëhet muzikë e shihet sport, Shpend Ahmeti është prishtinasi tipik që i shkon më së miri qytetit. Bashkimi me Albin Kurtin, duke u zgjedhur nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, nxori kombinimin e duhur për të fituar kryeqytetin. Prishtina më në fund mund të zgjidhte dikë që jo vetëm nuk ishte pjesë e klaneve të vjetra politike, por që kishte edhe fytyrën e qytetit. Dhe e bëri më 3 dhjetor.
Rasti i Shpend Ahmetit është vërtet një sinjal se kur përputhet angazhimi qytetar për ndryshim cilësor me forca apo individë që besojnë në të, fitorja është e mundur. Ky fenomen shpjegon se përse sharlatanizma si Aleanca Kuqezi, lëvizje të manipulueshme për interesa meskine si Mjaft apo parti që u mungon vullneti si Ora dhe FER, kanë humbur rrugës. Dhe nga ana tjetër se indiferenca, pasiviteti dhe pajtimi me idenë “se këtu asgjë nuk ndryshon” shërbejnë vetëm për të ndërruar një palë në pushtet me një palë tjetër. Prishtina dha një shembull të fortë që mund ta shkundë shoqërinë shqiptare. Shpend Ahmeti nuk është thjesht kryetar i një qyteti, por model i triumfit të angazhimit të qytetarisë.