in

Një pengesë më shumë për kartën e qëndrimit

Nga 9 dhjetori të huajt që do të kërkojnë lejen e qëndrimit CE për qëndruesit afatgjatë apo të ashtuquajturën kartë qëndrimi, duhet të paraqesin kërkesën për të bërë testin e gjuhës italiane në www.testitaliano.interno.it.

Romë, 19 nëntor 2010 – Sot për të marrë kartën e qëndrimit kalojnë edhe 10 muaj apo një vit nga data e paraqitjes së kërkesës. Nga data 9 dhjetor kohës së pritjes i duhen shtuar, minimumi, 2 muaj të tjerë. Pikërisht për të kryer testin e gjuhës italiane. Sepse, edhe nëse e njeh gjuhën, po nuk ke një dokument që ta vërtetojë, duhet të kryesh testin, që duhet të prenotosh on line e për të cilin Prefektura duhet të japë datën e provimit brenda 2 muajve nga dita e paraqitjes së kërkesës. Kështu thotë ligji, siç thotë edhe që leja e qëndrimit duhet lëshuar brenda 20 ditëve pune, apo që dekreti i shtetësisë duhet të jepet brenda dy vjetëve nga paraqitja e kërkesës.

Testi i gjuhës në vetvete nuk duhet të jetë diçka e vështirë, kërkohen njohuri bazë, të të folurës së përditshme, të nivelit A2. Madje njohja e italishtes është edhe një instrument i nevojshëm integrimi.

Por nga ana tjetër, Ministria e Brendshme përcakton ku duhet dhënë provimi, por nuk përcakton entet që duhet të ofrojnë falas kurset e gjuhës. E kush nuk e di italishten? Duhet të paguajë për ta mësuar. Ose po të ketë fat e të jetojë në ndonjë nga komunat që organizojnë kurse falas për të huajt, të ndjekë një prej tyre.

Është ende herët për të folur si do të shkojë procedura e re, por një gjë është e sigurt: vrapimi me pengesa për të arritur deri të karta e qëndrimit është zgjatur edhe më. Ndaj kush përmbush të gjitha kushtet për kartën e qëndrimit ka ende tre javë kohë për të paraqitur kërkesën pa iu nënshtruar testit.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Niveli A2 i njohjes së italishtes, ç’do të thotë?

Hyn në fuqi testi i gjuhës italiane për kartën e qëndrimit

Testi i gjuhës. Kush duhet të bëjë dhe si të prenotojë

Prezantimi i procedurës për testin e gjuhës (Burimi: Ministria e Brendshme italiane)

“Të zinjtë s’i dua në tren!” Dënohet punonjësi i hekurudhave

Ferri i Padernos: Ndërron jetë Harun Zeqiri