Një leje qëndrimi për ata që kanë punë, mund të sjellë një mal me para që mund të përdoren për zonat e goditura nga tërmeti. Propozimi i stranieriinitalia.it
Romë, 30 maj 2012 – Imigrantët kanë paguar edhe me gjak në tërmetin e Emilias, me katër punëtorë të huaj të vdekur nën rrënojat e fabrikave ku punonin. Por nga qindra mijëra të huajt “të padukshëm” që punojnë në hije, mund të arrijë edhe një kontribut i madh për rindërtimin e zonave të rrënuara nga tërmeti.
Përllogaritet që në Itali jetojnë mbi pesëqind mijë të huaj pa leje qëndrimi. Janë këtu sepse kanë punë që u lejon të mbajnë veten dhe të jetojnë më mirë se në atdhe, por puna e tyre është në të zezë, në shtëpitë e ndërmarrjet e italianëve. E nuk mund të jetë ndryshe pasi për të firmosur një kontratë pune duhet të kenë një leje qëndrimi.
E janë kaq shumë sepse ligji aktual mbi imigracionin nuk funksionon. Nevojitet kohë e mund për ta modifikuar, por do të mjaftonte një masë prej pak rreshtash, një modifikim i normave të demonstruara inefikase, për të dhënë një leje qëndrimi atyre që punojnë. “Me një legalizim, Italia nuk do të fitonte vetëm gjysmë milioni qytetarësh të rinj, më në fund të lirë të jetojnë në dritë të diellit, por edhe një mal me para që mund të investojë në zonat e goditura nga tërmeti” nënvizon Gianluca Luciano, administrator i grupit editorial Stranieri in Italia.
Le të konsiderojmë një kontribut fillestar prej 500 eurosh për çdo kërkesë, si në legalizimin e vitit 2009. Me gjysmë milion aderime, shteti do të fuste në arkat e tij, brenda pak ditëve 250 milionë euro. Një shifër tejet e lartë, thuajse 100 herë më e madhe, sa për të përmendur një nga propozimet e këtyre orëve, se ajo që do të kursehej duke mos bërë paradën ushtarake të 2 qershorit.
Por edhe 250 milionë euro duken të shkoqura përballë shumave që do të derdhnin këtej e tutje këta “taksapagues të rinj” në arkat e shtetit. 500 mijë punonjës të rinj të rregullt, sipas përllogaritjeve të Cgil-es, “vlejnë” 5 miliardë euro në vit në taksa e kontribute shoqërore: në mes të krizës ekonomike e pas katastrofave natyrore të ditëve të fundit kush guxon të heq dorë nga një thesar i tillë?