in

Një shqiptar në Itali fiton sa 4,7 shqiptarë në atdhe

Të huajt në Itali fitojnë 987 euro në muaj, 300 më pak se një italian. Shqiptarët janë ndër të huajt që fitojnë mesatarisht më shumë, mbi një mijë euro në muaj

Romë 7 qershor 2011 – Mesatarisht një i huaj në Itali fiton 987 euro në muaj, 294 më pak se kolegët e tyre italianë. Gratë e huaja janë ato që fitojnë më pak, mesatarisht 797 euro në muaj, ndërsa meshkujt fitojnë mesatarisht 1.135. Këto janë përfundimet e studimit të fundit të fondacionit Moressa në bazë të të dhënave ISTAT të tremujorit të fundit të vitit 2010.

Ja disa nga rezultatet e studimit:

– Pas marokenëve, shqiptarët janë ata që mesatarisht paguhen më mirë ndër të huajt në Itali, mbi 1 mijë euro në muaj. Madje ajo që shqiptarët fitojnë mesatarisht në Itali është sa prodhimi i brendshëm bruto i krijuar nga 4,7 shqiptarë në Shqipëri. Këto përfundime fondacioni i nxjerr duke pasur parasysh që të ardhurat vjetore të një shqiptari , punonjës i varur në Itali, janë 13.047 euro, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto për kokë në Shqipëri është 2.776 euro (nuk është e qartë se nga e ka nxjerrë të dhënë për Shqipërinë).

– Në veri të Italisë të huajt fitojnë më mirë dhe dallimi mes rrogave të tyre dhe rrogave të italianëve është më i vogël: Në veri dallimi mes rrogave të të huajve dhe atyre të italianëve nuk i arrin 300 eurot (në favor të këtyre të fundit), ndërsa në Jug, diferenca edhe i kapërcen 500 euro. Në Friuli Venezia Giulia të huajt kanë rrogë mesatare prej 1.159 euro në muaj dhe vetëm 10,8% më të ulët se italianët. Ndërsa në Kalabri të huajt fitojnë 674 euro, 40,8% më pak se italianët.

– Nëse të ardhurat shihen sipas sektorëve të ekonomisë, të huajt fitojnë mesatarisht më mirë në transporte (1.348 euro). Fitojnë mbi 1.000 euro në ndërtim, shëndetësi, shërbime sociale, fabrika dhe tregti. Fitojnë më pak se njëmijë të punësuarit në hotele, apo ata që punojnë pranë familjeve. Më pak nga të gjithë fitojnë gratë e punësuara si badante,  vetëm 724 euro, 26,4% më pak se kolegët e tyre italianë.

Shkarko komunikatën e plotë të shtypit të Fondacionit Moressa mbi të ardhurat e imigrantëve

“Ballkan Pazar” në kinematë italiane

Rotary Club nderon Brindisin për mikpritjen e shqiptarëve