in

Një vizitë ku nuk lejohen shkarje

Nga Skënder MINXHOZI

Të jesh i pari Kryeministër shqiptar që viziton Beogradin pas rreth 70 vjetësh, nuk është një mision diplomatik si të tjerët. Nëse i shton kësaj edhe një ndeshje futbolli mes dy vendeve, të luajtur rreth një muaj më parë, e cila ka ndezur gjakrat në dy anët e kufirit, çështja bëhet edhe më e komplikuar. Megjithatë ka një lehtësi e shtensionim të dukshëm, në mënyrën sesi pala shqiptare, kryesisht Kryeministri, duket se po e pret 10 nëntorin.

Rama duket se nuk e ka humbur vetëdijen e pozitës së fitimtarit moral të muajit të shkuar, teksa i duroi të gjitha presionet negative që kërkonin ta kthenin nga rruga për në Beograd. Shtyrja (dhe jo anulimi) e vizitës, përmes një ndërmjetësimi të fuqishëm amerikano-gjerman, i dha pikë Kryeministrit shqiptar, përballë palës serbe, e cila u tregua emotive, gjaknxehtë dhe në fund të fundit, humbëse, në planin e saj për ta dështuar këtë vizitë.

Duket se pas një muaji Edi Rama e ka ruajtur këtë energji pozitive të fituar në atë moment. Çka bën që edhe në këtë pragvizite të dytë, ai të duket më i relaksuar dhe madje i shpenguar për udhëtimin e 10 nëntorit. Aq sa, sipas informacioneve që vijnë nga negociatat për protokollin e vizitës, duket se Rama po kërkon që veç takimit me mediat dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të ketë dhe një dalje “live” në një prej rrjeteve kryesore televizive.

Vizita e Kryeministrit shqiptar në Beograd gjen aty një klasë drejtuese serbe, e cila ka dëshmuar qasje të ndryshme ndaj shqiptarëve, si në momentin e ndeshjes së 14 tetorit, ashtu edhe pas saj, kur ka qenë fjala për vizitën e Ramës në Serbi. Analistë të ndryshëm thonë se aktualisht, brenda elitës drejtuese të vendit, përplasen fort dy linja. Njëra linjë, ajo e Kryeministrit Vuçiç, i cili vijon të mbajë një kurs europianist dhe kryesisht progjerman, si dhe një linjë e dytë, e përfaqësuar nga Presidenti Nikoliç dhe ministri i Jashtëm Daçiç, të cilët anojnë drejt një aleance më të ngushtë me Rusinë e Putinit. Vizita e fundit e Presidentit rus në Serbi e vërtetoi edhe një herë këtë qasje të dyfishtë të klasës drejtuese vendase. Këto specifika e bëjnë edhe më delikate vizitën e Ramës, për shkak se prezenca e Kryeministrit shqiptar në Beograd është bërë prej kohësh një subjekt i nxehtë i politikës së brendshme serbe.

Vizita e Ramës në Beograd ka brenda shumë të papritura potenciale, ose më mirë kurthe të mundshme. Si do të sillet pala pritëse, cili do të jetë pozicionimi i shtypit, si do të reagojë opinioni publik ndaj vizitës?! Sikur të kishin qenë vetëm këto të panjohurat e udhëtimit të Kryeministrit shqiptar në Serbi, do të kishte qenë gjysma e së keqes. Sepse jo rrallë, problemi i Ramës, është vetë Rama. Sidomos në momente të tilla delikate, kur duhet peshuar çdo fjalë, kur duhen frenuar metaforat, krahasimet, ngacmimet me shtypin, batutat e pavenda dhe përgjithësisht figuracioni i rënduar, të cilin ai e ka aq për zemër. Të paktën një herë të vetme, përmbajtja duhet të ketë më shumë rëndësi sesa forma, tek ato që do të thotë Kryeministri shqiptar para mikpritësve dhe shtypit vendas. Kjo është një vizitë ku nuk lejohen shkarje. Sepse është e tepërt ta thuash, që ky do të jetë misioni më angazhues e delikat diplomatik, i karrierës jo të shkurtër politike të Edi Ramës.

Edi Rama nuk ka më pas vetes dyshimet, skepticizmin apo thirrjet për të mos vajtur në Serbi, që shoqëruan datën e parë të vizitës së tij atje. Tashmë fronti i “jo”-së është fashitur, opozita nuk bën më thirrje për të anuluar vizitën, kurse mediat e Tiranës duken më të qeta rreth datës 10 nëntor. Por edhe këtu ka një element, që duhet mbajtur mirë parasysh, e që ka të bëjë me pritshmërinë e opinionit publik shqiptar për vizitën. Tashmë kur të gjithë e kanë të qartë se rezultatet e saj do të jenë simbolike, ajo që një pjesë e madhe e shqiptarëve presin, është njëfarë revanshi që, sipas tyre, Kryeministri Rama duhet të marrë në Serbi. Qysh në tetor, një pjesë jo e vogël e atyre që ishin në favor të vizitës, shtonin me bindje se Rama duhet të shkojë atje, për “t’ua përplasur në fytyrë” serbëve të vërtetat për Shqipërinë, Kosovën, dronin dhe dhunën në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit. Shumë nga ky disponim agresiv ka mbetur ende në ajër, pas ndeshjes së famshme. Kombinimi i gjuhës së “fortë”, me fjalorin diplomatik, është sa i rëndësishëm, aq edhe i vështirë, në një vizitë ku të dyja palët ndiejnë së brendshmi se kanë për t’i thënë “shumë gjëra” njëra-tjetrës. Megjithatë, kjo shtysë më shumë emotive sesa logjike, duhet shmangur me forcë dhe vullnet nga kreu i qeverisë shqiptare. Ashtu siç shmangu një muaj më parë, anulimin e një vizite tek ata që ia akuzuan vëllain si pilot dronësh. Në Beograd shkohet jo për t’u sharë, por për të dialoguar.

Gazeta Shqip

Kryeministri Rama në Serbi

Rama në Beograd (Video&Foto)