in

Olldashi: “Tuneli i rrugës Elbasan-Tiranë do të hapet brenda 2013-tës”

Ministri Olldashi inspekton punimet për hapjen e tunelit të Kërrabës, pjesë e autostradës Elbasan-Tiranë

Tiranë, 9 gusht 2011 – Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi inspektoi sot punimet për ndërtimin e tunelit të Kërrabës, ose siç njihet ndryshe tuneli i Elbasanit, pjesë e Autostradës Tiranë-Elbasan, aktualisht një ndër projektet më të rëndësishme të infrastrukturës së vendit.

Avancimi i punimeve ka bërë të mundur hapjen e 45 metrave të galerive, në drejtimin nga Elbasani drejt Tiranës, ndërkohë që kanë mbaruar të gjitha punët përgatitore dhe ka filluar sot hapja e galerive të tunelit në drejtimin nga Tirana drejt Elbasanit.

Në fjalën e tij, ministri Olldashi vlerësoi ritmet e punimeve. Duke iu referuar afatit të përfundimit të tunelit, ministri Olldashi tha se tuneli do të jetë operues brenda vitin 2013, pasi çdo gjë është në përputhje me kalendarin e punimeve dhe me agjendën që kompania ka me Drejtorinë e Rrugëve.

“Punimet për ndërtimin e tunelit të Elbasanit kanë avancuar dhe aktualisht kanë përfunduar të gjitha rrugët ndihmëse për të arritur deri në hyrje të tij. Ndërkohë janë hapur metrat e parë të dy galerive në drejtimin nga Elbasani drejt Tiranës dhe po e njëjta punë po bëhet nga ana tjetër, në drejtimin nga Tirana drejt Elbasanit”, tha Olldashi.

Përfundimi i autostradës Tiranë-Elbasan do të zgjidhë një nga problemet më madhore të sistemit të transportit në vend, si të qarkullimit të mallrave ashtu dhe të pasagjerëve, pasi sjell një shkurtim të ndjeshëm në kohë, largësi dhe kosto, për transportin mes Kryeqytetit dhe Elbasanit dhe qytetet e tjera në lindje të tij.

Kthehet në atdhe kontingjenti shqiptar i paqeruajtësve në Afganistan

Topi i jep shtetësinë shqiptare aktores Eliza Dushku