Aktorja shqiptare është vlerësuar për rolin e Sarës në filmin Pharmakon të Joni Shanajt
Romë, 6 dhjetor 2013 – Aktorja Olta Gixhari është nderuar me çmimin ‘Aktorja më e mirë’ në edicionin e 11-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit ‘Levante” të Barit.
Aktorja 27-vjeçare nga Durrësi merr këtë trofe me rolin e Sarës në filmin Pharmakon me regji të Joni Shanajt. Ky është roli i saj i parë si protagoniste në ekranin e madh, por aktorja ka luajtur në teatër krah emrash të njohur të teatrit e kinematografisë shqiptare si Timo Flloko e Robert Ndrenika.
Festivali Levante u mbajt në Bari nga 3 deri në 6 dhjetor. Ndër 33 filmat konkurrues, juria vlerësoi si më të mirin, filmin gjerman Eastalgia me regji të Daria Onyshchenko-s.