Shkatërrohet një organizatë kriminale me në krye shqiptarë që furnizonte me heroinë Modenën, gjithë krahinën e Emilia Romagnas dhe një pjesë të mirë të Veriut të Italisë
Romë, 12 shtator 2013 – 54 urdhër-arrestime, 48 korrierë të arrestur në flagrancë, 162 persona nën hetim, 74 të tjerë të identifikuar. 26 kg drogë e sekuestruar, nga të cilat 23 kg heroinë “brown sugar” dhe “rosa”, 3 kg hashash, 700 gr kokainë.
Janë këto shifrat e operacionit antidrogë e questurës së Modenës, i kodifikuar me fjalën shqipe “Bishti”, nga pseudonimi i njërit prej të arrestuarve, që ka shpartalluar sot në mëngjes një organizatë kriminale të specializuar në mbajtje e trafikim droge. Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në nëntë qytete të veriut të Italisë: Modena, Bari, Ferrara, Milano, Parma, Piacenza, Reggio Emilia, Siracusa e Trieste.
Hetimet kanë lejuar kapjen e një grupi kriminal të drejtur nga shqiptarë në të cilin kishte edhe ndonjë magrebin. “Veprimtaria” kryesore e organizatës ishte trafikimi ndërkombëtar i heroinës, si edhe shpërndarja e saj në Modena, gjithë krahinën e Emilia Romagnas dhe një pjesë të mirë të Veriut të Italisë.
Gjatë kontrollimeve janë sekuestruar edhe 50 mijë euro, nëntë makina, dy motoçikleta, armë dhe municione.