Tiranë, 4 shkurt 2011 – Siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar ka zhvilluar sot pasdite protestën e saj në katër qytetet e vendit, Tiranë, Lezhë, Korçë dhe Vlorë. Në të katërta qytete protesta përfundoi pas pak orëve gjatë të cilave u manifesta në mënyrë paqësore dhe pa incidente.
Në Tiranë, protestuesit e ardhur dhe nga qytete të tjera dhe të drejtuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama u mblodhën në qendër të kryeqytetit, pranë Muzeut Historik Kombëtar, për të marshuar më pas në mënyrë paqësore drejt rrugës së Durrësit. Ata mbanin në duar pankarta kundër qeverisë. Pika fundore e protestës ishte zona e “Zogut të Zi”, nga ku më pas protestuesit u shpërndanë qetësisht.
Paqësore kanë qenë protestat e opozitës edhe në tre qytetet e tjera, Lezhë, Vlorë dhe Korçë të cilat u drejtuan nga deputetë të PS-së në këto zona.
Kjo ishte protesta e tretë e opozitës për këtë vit. Protesta e parë, e mbajtur më 21 janar, përfundoi me tre të vrarë e dhjetra të plagosur. Ndërsa, protesta e 28 janarit ishte marshim homazh në nderim të tre viktimave.
Përmes një deklarate për mediat, Policia e Shtetit informoi se në mbrojtje të qetësisë publike dhe jetës së qytetarëve, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimeve, u morën të gjitha masat për zhvillimin e saj normal. Policia bëri të ditur gjithashtu se “gjatë zhvillimit të tubimeve nuk është evidentuar asnjë ngjarje”.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, “në tubimin e Tiranës protestuan rreth 3000 protestuesve të ardhur edhe nga Qarku i Durrësit, duke lëvizur nga vend-grumbullimet, në drejtim të sheshit tek Muzeu Kombëtar dhe më pas drejt rrugës së Durrësit nga ora 14:15 deri në orën 15:20”.
“Në qytetin e Vlorës, tubimi u zhvillua me pjesëmarrjen e rreth 3500 protestuesve të ardhur edhe nga rrethet Fier, Berat, Gjirokastër dhe Sarandë, duke lëvizur nga vend grumbullimet, përgjatë aksit Skelë-Sheshi i Flamurit-Rruga e Re nga ora 14:00 deri në orën 15:15”.
Ndërsa për qytetin e Lezhës, Policia njofton se ” tubimi u zhvillua me pjesëmarrjen e rreth 600 protestuesve, të ardhur edhe nga rrethet e Prefekturës Shkodër nga ora 14:10 deri ne oren 14:45″.
Edhe në qytetin e Korçës “tubimi u zhvillua me pjesëmarrjen e rreth 2000 protestuesve të ardhur edhe nga Qarku i Elbasanit, duke lëvizur nga vend grumbullimet përgjatë Bulevardit Republika në drejtim të Sheshit Ushtari i Panjohur dhe Teatrit të qytetit nga ora 14:00 deri në orën 14:50”, thanë burimet e Policisë së Shtetit.