Parlamenti shqiptar aprovoi sot vendimin numër 84 “Për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Ilir Meta”. Në këtë mënyrë i hiqet imuniteti ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Pas votimit me 128 vota pro dhe 2 kundër, mund të fillojë ndjekja penale për të, lidhur me skandalin e videos Meta-Prifti. Akuza mbetet ajo e korrupsionit aktiv.
Lideri i LSI-së, gjatë fjalës në parlament, deklaroi se ai kishte hequr vetë dorë nga imuniteti menjëherë pasi episodi u bë publik. Ilir meta tha se “eksperti amerikan nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me manipulimin e zërit dhe të tingujve, por ka dhënë përgjigje vetëm për figurën; pra ai nuk ka qenë në gjendje të thotë shkallën e gabimit, apo dhe nëse kjo është një bisedë e montuar”. Përveç çështjes së videos, ish-zëvendëskryeministri deklaroi se është treguar gjithnjë i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të hedhë dritë mbi episodin. Ai deklaroi se do t’i përgjigjet prokurorisë jo vetëm për rastin e tij, por edhe të asaj që ndodhi në Tiranë më 21 janar
“Sepse nga manipulimi dhe montimi i kësaj videoje nisi 21 janari, nisi gjakderdhja e shqiptarëve të pafajshëm dhe garantues i këtij montimi ka qenë vetëm një person, kryetari i PS, që do mbajë përgjegjësinë e tij”, përfundoi Ilir Meta.